Shekulli.com: Zhvillim së bashku me natyrën! Në vëmendje ndërtimi i HEC-eve

Nga Aleko Miho

Zonat e mbrojtura (ZM) shpallen si të tilla për integritetin e tyre, pra për gjendjen e paprekur të tyre, krahasuar me zona të tjera të vendit, për biodiversitetin e lartë, për habitatet e rralla dhe shumë të ndjeshme nga ndërhyrjet jo miqësore të njeriut. Për këtë, shpallja dhe menaxhimi si duhet i ZM-ve përbën një detyrim Kushtetues, përmbushje e kërkesave të shumë akteve ligjore dhe nënligjore që garantojnë mbrojtjen e natyrës dhe të biodiversitetit, në përputhje kjo me shumë Konventa dhe Standarde ndërkombëtare.

Qëndrimi ndaj ZM-ve nuk duket se ka qenë miqësor në gjithë këto vite tranzicioni, ashtu si për mbarë territorin e pa mbrojtur të vendit. Me këtë shkrim shpresoj të ngacmoj sadopak ndërgjegjen e vendimmamrrjes, dhe gjithë shoqërisë shqiptare për të ndihmuar në një qëndrim ndryshe ndaj natyrës, biodiversitetit, dhe ndaj Zonave të Mbrojtura në veçanti.

Aleko Miho, Biolog. (c) EcoAlbania

Njeriu është i detyruar të zhvillojë veten bashkë me natyrën

Kur përmenden ZM-të, shpesh dëgjohet që ato të vlerësohen më shumë nga interesat e çastit dhe jo për atë që janë shpallur në të vërtetë. Në shumë ZM nuk kanë munguar prerjet e drurëve; nuk janë kursyer për këtë as pyjet dikur të virgjër të Lurës, Dajtit, Qafështamës, Drenovës, Valbonës, Shebenikut; vështirë të thuash sot se Lura, Drenova, dhe ndonjë tjetër zonë, kanë realisht vlerat e një ZM-je! Në shumë ZM nuk është ndërprerë ndonjëherë kullotja e tepruar dhe grumbullimi i bimëve mjekësore; në ndonjë tjetër ZM, përveç këtyre merret lëndë ndërtimi në mënyrë të paskrupullt; mbetet tronditës urbanizimi pa kontroll edhe brenda vetë ZM-ve, sidomos atyre bregdetare. Ky qëndrim shpërfillës ndaj natyrës përforcohet sot me lejimin për ndërtim HEC-esh në degët lumore të paprekura brenda ZM-ve, në kundërshtim jo vetëm me aktet ligjore në vend, por dhe me standardet dhe detyrimet ndërkombëtare për zonat e mbrojtura. Këtu nuk duhet harruar edhe vetë sjellja e vizitorëve brenda ZM-ve, të cilët nuk duket se kanë shumë parasysh se përse ato ruhen me roje, me postobllok në hyrje etj. Mjafton të përmend këtu ndotjen që shumë vizitorë të papërgjegjshëm bëjnë gjatë fundjavës brenda PK të Dajtit, por dhe në zona të tjera të mbrojtura, si burimet e Bistricës, Drilonit etj., të cilat janë simbol për vlerat natyrore dhe biologjike.

Artikullin e plotë të publikuar nga Shekulli.com mund ta gjeni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *