Seri protestash kundër hidrocentraleve në Valbonë

Bajram Curri, Tiranë, New York, 11 Prill 2016, qindra qytetarë të Bajram Currit, së bashku me përkrahës nga e gjithë Shqipëria u mblodhën tek Museu, përballë statujës së Bajram Currit për të protestuar kundër ndërtimit të 14 hidrocentraleve në lumin e Valbonës. Kjo është vepra e parë publike e një fushate të nisur nga qytetarët, që mbështetet nga OJF-të kombëtare e ndërkombëtare, për të protestuar kundër shkatërrimit të një prej zonave më të vyera natyrore, si dhe një prej destinacioneve më të vizituara nga turistët në Shqipëri.

Nëntë nga 14 hidrocentralet e ndërtuar përgjatë 20 km të lumit Valbona qëndrojnë brenda Parkut Kombëtar të Valbonës, një zonë e mbrojtur nga IUCN e nivelit II që nga viti 1996 dhe një pikë kyçe e Parkut Kombëtar të Alpeve Shqiptare, e cila do të shpallet këtë vit, duke krijuar kështu një nga zonat më të mëdha të mbrojtura në gjithë Ballkanin.

Gjatë protestës në qytetin e Bajram Currit. (c) B. Guri/EcoAlbania
Gjatë protestës paralele në Tiranë, te Kryeministria. (c) Qendra EDEN

Qytetarët janë kundër këtij plani për tre arsye të rëndësishme :

1) Në aspektin mjedisor, këto plane do ta shkatërronin zonën, sepse do ta vendosnin lumin dhe rrjedhat e tij brenda disa tubave me diametër 2.5-3 m. Kjo gjë jo vetëm do t’i shkaktonte lumit një dëm të madh dhe të pariparueshëm, por do të shkatërronte edhe tokat rreth tij.

2) Në aspektin ekonomik, kthimi i një prej zonave më të paprekura në Evropë në një zonë industriale do të shkatërronte sektorin e zhvilluar të turizmit. Rrjedha e lumit, me një shpejtësi rreth 3 m/sek gjatë pjesës më të madhe të vitit, nuk mund të gjenerojë aq energji sa shitja e së cilës do të mund të kompensonte të ardhurat e humbura nga turizmi i shkatërruar. E gjithë kjo nuk do të ndihmojë në asnjë mënyrë ekonominë e vendit. Ndërtimi i digave nuk do të sjellë më shumë punësim dhe kurrsesi përfitime ekonomike.

3) Ka një zemërim nga ana e publikut për mënyrën sesi këto projekte kanë injoruar apo anashkaluar me ligjin shqiptar, duke mos kryer konsultime me qytetarët dhe në vend të kësaj kompanitë paraqesin një listë me 12-20 firma të falsifikuara ose të marra nga punonjësit dhe të afërmit e kompanive të përfshira në këtë projekt. Vlerësimet e kryera tregojnë se studimet për biodiversitetin e zonës nuk janë të thella, duke injoruar kështu statusin e Zonës së Mbrojtur. Fakti se këto dokumente, të cilat nuk bazohen te asnjë ekzaminim, pranohen nga agjencitë përkatëse si të vërteta është një skandal në shkallë kombëtare dhe që vendos në pikëpyetje kompetencat e organeve qeverisëse. Edhe pse plani i menaxhimit për Parkun Kombëtar të Alpeve është përgatitur, gjë e cila do të qartësonte faktin se zona është e mbrojtur me ligj, miratimi i tij është bllokuar nga Ministria e Energjisë.

 Ne i bëjmë kërkesë qeverisë së Shqipërisë të ndalojë ndërtimin e këtyre hidrocentraleve në Valbonë dhe të investojë më shumë në zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë në zonë.

Protesta në Bajram Curri dhe protesta në Tiranë kanë si synim të tërheqin vëmendjen e publikut rreth kësaj situate, të shpërndajnë sa më shumë informacion dhe të rrisë ndërgjegjësimin e publikut.

Një peticion drejtuar institucioneve vendore do të firmoset nga protestuesit.

Gjatë kësaj kohe, qëkur u mësua për planet e këtyre projekteve në Janar të vitit 2016, qytetarë të shqetësuar, së bashku me OJF kombëtare e ndërkombëtare, nxituan për të mbledhur dokumentacione, duke realizuar kështu një Apelim Administrativ zyrtar.

Paralelisht një grup aktivistësh nga New Yourk-u kanë protestuar kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë duke i kërkuar kryeministrit Edi Rama, të shpëtojë Valbonën nga ky kërcënim.

Gjatë protestës në New York. (c) EcoAlbania

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *