Reporter.al: Moratoriumet, çfarë shakaje pa kripë

Nga Gjergj Erebara / BIRN

Në mënyrë të përsëritur, qeveria ka ndaluar gjëra të ndryshme. Dhe në mënyrë të përsëritur, askujt nuk ia ka ndjerë se çfarë ka ndaluar qeveria. Moratoriumi për pyjet ka gjasa do të ketë të njëjtin fat.

Pikë zhavorri mbi lumin Mat fotografuar nga rruga kombëtare Tiranë-Shkodër në shtator 2015. (c) Gj. Erebara/BIRN

Shumë vite më parë, Shqipëria vendosi të ndalojë shfrytëzimin e shtretërve të lumenjve për të nxjerrë rërë dhe zhavorr për ndërtimin. Argumentet për ndalimin e praktikës së gërryerjes së lumenjve qenë të shumta: e para, gërryerja e lumenjve shkakton shpesh rritjen e shpejtësisë së rrjedhjes së ujërave, rrjedhimisht, gërryerje të brigjeve dhe erozion të tokës bujqësore apo të ndërtimit, gërryerje të këmbëve të urave etj.

E dyta: shfrytëzimi i gurit të lumit për ndërtimin e rrugëve krijon rrugë me cilësi të keqe dhe jetë të shkurtër. Inxhinierët argumentonin se gurët e lëmuar të lumit nuk e kishin koeficientin e nevojshëm të fërkimit për të krijuar rrugë që jetojnë gjatë. E treta: Shqipëria nuk vuan nga mungesa e gurëve të malit si burim ndërtimi. E vetmja diferencë është që gurët e lumit janë pak më të lirë se sa gurët e malit. E katërta: gërryerja e lumenjve shkatërron habitatet natyrore dhe botën e gjallë.

Shumë dhe shumë vite më parë, qeveria shqiptare vendosi ndalojë shfrytëzimin e shtretërve të lumenjve për të nxjerrë zhavorr. Ndalimi, kuptohet, mbeti vetëm në letër. Me dhjetëra denoncime në media, veçanërisht për shfrytëzimin e Lumit Erzen pranë Tiranës, ndihmuan për të vënë në punë herë pas here ingranazhet e ndryshkura nga korrupsioni të shtetit shqiptar, por në tërësi, shfrytëzimi i lumenjve u ndal vetëm në rastet kur zhavorri mbaroi. Në ato raste kur zhavorri nuk ka mbaruar, shfrytëzimi vijon, pavarësisht se është zyrtarisht ilegal. Dhe është aq i gjithëpërhapur sa vijon ditën për diell, pranë të gjitha rrugëve kombëtare nga ku shihet nga të gjithë.

Nuk është pra e vështirë që të kalosh urën mbi lumin Mat në rrugën Tiranë-Shkodër për të parë malet e mëdha me zhavorr që nxirret nga ky lum. Dhe po të shkosh pak më tutje, në urën e Bahçallëkut pranë Shkodrës, edhe aty shfrytëzimi i lumit është i dukshëm.

Artikullin e plotë të publikuar nga Reporter.al mund ta gjeni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *