Qeveria i injoron të gjithë – firmos kontratën për ndërtimin e HEC-it të Poçemit

Njoftim për shtyp nga Ecoalbania

Tiranë, më 01.11.2016. Ministria e Energjisë ka publikuar njoftimin për nënshkrimin e kontratës me kompaninë turke “Kovlu Energji” duke i dhënë të drejtën për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit. Ky vendim shkon në kundërshtim me kërkesat e banorëve të luginës së Vjosës, organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, Bashkimit Evropian dhe shumë shkencëtarëve të cilët kanë kërkuar një moratorium 3 vjeçar për sa i përket ndërtimit të HEC-eve në Vjosë.

I gjithë procesi i dhënies me koncesion të HEC-it të Poçemit është produkt i Qeverisë aktuale. Bëhet fjalë për një proces të fshehtë, jo transparent dhe në shkelje të legjislacionit shqiptar në fuqi si dhe në shpërfillje të plotë të rekomandimeve të PE. Fituesi tenderit për këtë hidrocentral është shpallur konsorciumi “Çinar San” dhe “Ayen Enerji” në një njoftim të bërë publik nga  Ministria e Energjisë, në Maj 2016. Ndërkohë që kontrata konçesionare është lidhur me një tjetër kompani turke.

Lumi Vjosa, afër Poçemit. (c) R. Dorozhani

Kompania fituese ka paraqitur raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, pjesë e të cilit është dhe dëgjesa publike, e cila sipas dokumenteve zyrtare rezulton të jetë realizuar në shkurt të vitit 2015 në Fier. Asnjë prej banorëve të prekur nga ndërtimi i këtij HEC-i apo Njësitë e Qeverisjes vendore nuk janë bërë pjesë e këtij procesi. “Unë si kryetar i bashkisë, nuk jam vënë në dijeni nëse është bërë një marrëveshje dhe nëse po me kë është bërë? Çfarë është parashikuar? Cilat do të jenë ndikimet dhe çfarë do të ndodhë me banorët?” tha Përparim Shametaj, kryetari i Bashkisë Selenicë.

EcoAlbania ka krijuar një grup pune me ekspertë të huaj dhe kombëtar për të vlerësuar cilësinë e raportit të VNM-së, dhe deri tani mund të thuhet se ky raport është jo profesional, jo shkencor dhe aspak realist.

Nga ana tjetër Vjosa ka edhe një vëmendje të veçantë ndërkombëtare pasi konsiderohet si një thesar i trashëgimisë natyrore Evropiane. Në këtë mënyrë pas shumë debatesh dhe rekomandimesh nga PE, Komisioni Evropian është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për hartimin e një Masterplani rajonal në lidhje me ndërtimin e HEC-eve i cili pritet të finalizohet në verë të vitit që vjen në takimin e katërt konsultues që do të zhvillohet në Romë. “Ne së bashku me kolegët tanë ndërkombëtarë kemi më shumë se 4 vjet që lobojmë në institucionet e BE-së për të ndaluar këtë valë të pakontrolluar të ndërtimit të HEC-eve. Qeveria Shqiptare duhet të shohë për alternativa të tjera të përftimit të energjisë duke ndalur përfundimisht këtë agresion të panevojshëm ndaj natyrës” tha Olsi Nika nga EcoAlbania.

Nisur nga situata aktuale në vendet e Ballkanit gjatë takimit të fundit në Bruksel, OJQ-të mjedisore kanë nënshkruar një letër pozicionimi të drejtuar Komisionerit Han mbi nevojën urgjente të përcaktimit të qartë “zona të ndaluara” për ndërtim HEC-esh. Vjosa konsiderohet si lumi i fundit natyror i Evropës, çka përbën padyshim një prej këtyre zonave të ndaluara për ndërtim HEC-esh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *