Tiranë, 27 Shtator 2019. EcoAlbania organizoi konferencën me temë: “Media dhe çështjet mjedisore në Shqipëri” gjatë të cilit prezantoi raportin me të njëjtin titull. Të pranishmit, OShC mjedisore, gazetarë, media dhe qytetarë aktivistë u njohën me analizën e 5 çështjeve të rëndësishme mjedisore, duke u përqendruar në kontributin e medias në raportimin dhe zgjidhjen e tyre. Rastet e marra në analizë në raport janë:
- Ndërtimi i hidrocentraleve Brenda Parkut Kombëtar të Valbonës;
- Konflikti mes banorëve dhe koncesionarit për shfrytëzimin e pyllit në Malin e Bardhë në Fushë-Bulqizë;
- Koncesionet për ngritjen e inceneratorëve ne Tiranë, Elbasan e Fier;
- Ngritja e një resorti të madh turistik në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta nga Mabetex Group, një korporatë ndërtimi ndërkombëtare;
- Përpjekjet e bashkuara kombëtare dhe ndërkombëtare shkencore dhe të grupeve të tjera të interesit për të ndaluar ngritjen e hidrocentraleve në lumin Vjosa, si i vetmi lumë në Evropë që rrjedh i lirë.
Nevoja për realizimin e një analize të tillë ka ardhur pas konstatimeve të vazhdueshme nga organizatat mjedisore për nevojën e përmirësimit të raportimit mediatik mbi çështjet e mjedisore në Shqipëri. EcoAlbania e finalizoi raportin pas një serie workshopesh dhe konsultimesh me gazetarë dhe OShC mjedisore lokale në 5 qarqe të Shqipërisë.
Ekspertët e së drejtës së mjedisit dhe energjisë si dhe gazetarë investigative, të angazhuar në studim, prezantuan në konferencë gjetjet nga raporti, duke ndarë me të pranishmit edhe disa prej rekomandimeve më të rëndësishme të tij. Gjithashtu paneli i përbërë nga gazetarë investigative, me ekspertizë në raportimin e çështjeve mjedisore dhe përfaqësues të organizatave mjedisore ndanë eksperiencën e përpjekjeve që bëjnë me punën e tyre të përditshme për praninë më të madhe të lajmit mjedisor në median lokale dhe atë kombëtare.
Nisur nga premisa se media është intsrumenti kryesor për formësimin e një vetëdijeje publike për një përdorim të qëndrueshëm të burimeve natyrore, raporti sjell disa rekomandime adresuar medias, gazetarëve me qëllim rritjen e informacionit, thellimin e raportimit, për një panoramë të plotë, të qartë e të balancuar të problematikës mjedisore:
- Të zhvillohen trajnime për rritjen e kapaciteteve të gazetarëve me ekspertizë shkencore pët cështjet mjedisore;
- Të ripozicionohet “lajmi mjedisor” duke pasur përparësi në radhën e lajmeve të tjera;
- Të sensibilizohet opinioni për mrekullitë natyrore dhe të potencialit të burimeve natyrore shqiptare, përmes realizimit të reportazheve, dokumentarëve apo klipeve promocionale;
- Të nxiten shkrimet me autorë dhe etika e raportimit.
Një pasqyrë mbi situatën dhe gjetjet kryesore paraqitet në videon më poshtë:
Në vazhdim të punës dhe përpjekjeve të saj për mbrojtjen e mjedisit, EcoAlbania, do të vijojë përpjekjet e saj për krijimin e urave lidhëse midis organizatave dhe medias në përfitim të një raportimi të qëndrueshëm dhe serioz të çështjeve mjedisore në Shqipëri.
Me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.