++Raportimi i çështjeve mjedisore në median lokale dhe kombëtare ishte tema kryesore e këtyre workshop-eve++
Një seri workshopesh janë organizuar nga EcoAlbania në 5 qarqe të vendit me fokus raportimin e çeshtjeve mjedisore në median kombëtare dhe lokale. Gjatë takimeve të organizuara në periudhën Mars – Qershor 2019 është prezantuar draft – studimi “Media dhe çështjet mjedisore në Shqipëri”, i cili analizon 5 problematika të rëndësishme mjedisore, duke u përqendruar në kontributin e medias në raportimin dhe zgjidhjen e tyre. Gjetjet janë diskutuar me gazetarë dhe OShC mjedisore lokale në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe Kukësit të cilët, kanë shprehur shqetësimet mbi problematikat që prekin zonën e tyre duke kontribuar kështu në pasurimin e tij nëpërmjet rekomandimeve konkrete.
Draft-studimi adreson nivelin e ulët të raportimit mediatik mbi përdorimin e paqëndrueshëm të shërbimeve të ekosistemit, duke theksuar faktin se raportimi i problemeve mjedisore është jo periodik, sporadik dhe jo analizues. Nga ana tjetër nxjerr në pah nevojën për përmirësimin e raportimit mjedisor në Shqipëri lidhur si dhe rritjes së bashkëpunimit midis organizatave mjedisore dhe gazetarëve lokalë.
Ekspertë të gazetarisë investigative dhe ekspertë për të drejtën e mjedisit dhe energjinë, kanë trajtuar gjatë workshopeve tema mbi teknikat e gazetarisë investigative të sukseshme, rëndësinë e lajmit mjedisor në redaksitë shqiptare, hulumtimin dhe njohjen e legjislacionit mjedisor, si dhe çështje të problematikave mjedisore dhe medias në Evropë, politikat dhe legjislacionin ndërkombëtar mjedisor, duke krahasuar situatën e Shqipërisë me BE-në dhe vendet e tjera të Ballkanit.
Shqetësimet e ngritura nga gazetarët lokalë mbi problematikat e raportimit për çështjet mjedisore lidhen me mungesën e ekspertizës dhe kapacitieteve të gazetarëve për ndjekjen dhe investigimin e çështjeve mjedisore dhe mungesën e rrjeteve të gazetarëve që merren në mënyrë të dedikuar me çështjet e mjedisit, e cila nuk favorizon komunikimin e vazhdueshëm midis organizatave mjedisore, aktivistëve dhe medias/gazetarëve.
Nga ana tjetër ata ngrenë shqetësimin se puna e gazetarëve shpeshherë është objekt i censurimit nga ndikimi i bizneseve, influencave politike ose nga përfshirja e pronarëve të medias në veprimtari ekonomike që në shumë raste konsistojnë në shfrytëzimin e burimeve natyrore. Për më tepër mungesa e bashkëpunimit midis gazetarëve dhe institucioneve publike lidhur me ofrimin e informacioneve mbi gjendjen e mjedisit dhe problematika specifike mjedisore bëhet pengesë për raportimin e plotë të një çështjeje të caktuar mjedisore.
Pas përfundimit të serisë së workshopeve tematike, në shtator 2019 EcoAlbania do të organizojë në Tiranë konferencën me gazetarë, organizata kombëtare mjedisore dhe të gazetarisë/ medias për prezantimin e studimit përfundimtar “Media dhe çështjet mjedisore në Shqipëri”.
—
Me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.