Paralajmërimi i shkencëtarëve kundër ndërtimit të digave në Vjosë

++Studimi zbulon rreziqet e kostove të larta ekonomike dhe degradimin ekologjik nga projektet e planifikuara të HEC-eve Kalivaç dhe Poçem ++ Ndikime të pafavorshme e të dëmshme parashikohen edhe për bujqësinë dhe turizmin shqiptar++

Tiranë, Radolfzell, Vjenë14 maj 2019. Shkencëtarët nga Universiteti i Burimeve Natyrore në Vjenë, Austri dhe Universiteti Politeknik i Tiranës, Shqipëri, prezantuan sot në Tiranë gjetjet e vlerësimit dy vjeçar të sedimenteve në lumin Vjosa. Ekspertët treguan se si projektet e planifikuara të hidrocentraleve në Poçem dhe Kalivaç do të ndikonin në rrjedhën natyrore të sedimenteve që aktualisht transportohen në bregdet nga lumi Vjosë. Rezultatet e studimit vlerësojnë se rezervuarët do të mbushen brenda një periudhe maksimale prej 30-60 viteve.

“Për shkak të ritmeve të larta të transportit të sedimenteve të Vjosës, mostrat tregojnë një humbje vjetore të rezervuarit prej rreth 2% në rastin e Kalivaç-it dhe më shumë se 2% në rastin e Poçem-it. Kjo është më shumë se dyfishi i mesatares globale të humbjeve të akumuluara vjetore, gjë që redukton ndjeshëm prodhimin e energjisë duke filluar nga viti i parë i operimit “, tha Christoph Hauer nga Universiteti i Burimeve Natyrore në Vjenë (BOKU).

 

Rrjedhimisht, pritet të ketë kosto shumë të larta ekonomike për menaxhimin dhe trajtimin e sedimenteve, me qëllim që të shmangen probleme të rënda teknike. Studimi tregon se mungesa e transportit të sedimenteve do të çojë në fragmentrizimin e shtratit të lumit në rrjedhën e poshtme, duke ndikuar në nivelet e ujërave nëntokësore dhe do të shkaktojë erozion bregdetar si dhe humbje të biodiversitetit. Të gjithë këta faktorë pritet të kenë efekte të dëmshme në sektorin e turizmit dhe atë të bujqësisë në pellgun ujëmbledhës të Vjosës.

“Rezultatet e këtij studimi janë një provë e rëndësishme që tregon se pritshmeritë e qeverisë shqiptare për prodhimin e energjisë nga HEC-et në lumin Vjosë nuk do të përmbushen. Përkundrazi, këto projekte do të sjellin vetëm një situatë humbjeje të 3-fishtë – në aspektin ekonomik, mjedisor dhe social “, tha Olsi Nika nga EcoAlbania.

Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të mbetur të Evropës, që rrjedh i lirë në270 kilometra gjatësi. Me burimin e saj kryesor në territorin grek, 80 kilometrat e para të lumit njihen si Aoos. Sapo hyn në Shqipëri, bëhet e njohur si Vjosa. Pjesët e ulëta të lumit rrjedhin nëpër ligatina të gjera, të cilat janë habitate për peshq, zogj dhe kafshë të tjera të egra. Vjosa derdhet në det drejt veriut të lagunës së Nartës – një nga lagunat më të mëdha dhe ekologjikisht më të pasura në Shqipëri dhe një Rezervë Natyrore e Menaxhuar.

“Vjosa është lumë i rrallë në Evropë dhe duhet të ruhet si pjesë e trashëgimisë sonë natyrore. Projektet e hidrocentraleve do ta shkatërrojnë krejtësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme këtë ekosistem unik lumor. Hidrocentralet nuk meritojnë të quhen “të gjelbër”, pasi pëdoren gjithnjë në kurriz të biodiversitetit të peizazheve lumore “,tha Theresa Schiller, koordinatore e fushatës “Save the Blue Heart of Europe” në EuroNatur.