Gramsh, 29 prill 2024. Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Gramsh u bënë pjesë e diskutimeve mbi elementet kryesore të një ekosistemi të qëndrueshëm, si dhe faktorët që ndikojnë në ndotjen e tij. Gjithashtu u zhvilluan eksperimente për të zgjeruar njohuritë e tyre në lidhje me komponentët e ajrit, siç janë oksigjeni dhe dioksidi i karbonit.
Eksperimenti i parë konsistoi në reaksionin kimik të uthullës (acidit acetik) dhe sodës së bukës (bikarbonat natriumit). Në grykën e një shisheje të mbushur me uthull, u vendos një tollumbace e mbushur me sodë. Nxënësit e lëshuan tollumbacin, duke e lejuar sodën të përziehet me uthullën, duke shkaktuar prodhimin e dioksidit të karbonit, i cili më pas fryu tollumbacin.
Në eksperimentin e dytë, qëllimi ishte shuarja e flakës së qiririt përmes prodhimit të dioksidit të karbonit. Ky eksperiment u krye përmes vendosjes së një qiriri të ndezur në një pjatë Petri të mbushur me ujë. Nxënësit vendosën një gotë kimike mbi flakën e qiririt për ta shuar atë. Megjithatë, vëmendja u drejtua drejt rritjes së nivelit të ujit brenda gotës kimike, ndërkohë që në pjatën e Petrit ujërat u ulën, si rezultat i diferencës së presioneve.
Gjatë këtyre eksperimenteve, nxënësit morën një mësim praktik rreth ndotjes mjedisore. Si simbolikë e përpjekjeve të tyre ata kishin krijuar bluza me mesazhe ndërgjegjësuese për mjedisin për të ndihmuar në mbrojtjen e tij dhe për të nxitur ndryshime pozitive.