Bruksel, 19-20 Shtator, 2023. Vizita e dytë e shkëmbimit në kuadër të projektit ESPID 4 VJosa u zhvillua në Bruksel, mes përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare dhe atyre të Komisionit Evropian, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe përvojës në fushën e mirëqeversijes së ujit. Përfaqësues të AMBU, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, AKBN, AKF, ADA si edhe eskpertët ndërkombëtarë të angazhuar në projektin ESPID 4 Vjosa, kanë ndarë përvojat e tyre me përfaqësues të DG-NEAR, DG-Evnironment, DG-Agri etj.
Përfaqësues të Komisionit Evropian ndanë me të pranishmit kuadrin rregullator dhe insititucional që gjen zbatim në BE, duke u ndalur edhe në raste te veçanta të vendeve anëtare. Ata gjithashtu vunë në dukje sfidat me të cilat haset sektori duke theksuar vështirësinë e arritjes se objektivave të Direktivës Kuadër të Ujit. Ndër të tjera ata përforcuan qëndrimin e tyre se sa e rëndësishme është ruajtja e lumit Vjosa në gjendjen natyrore e cila ështe jo vetëm një kosto e ulur për projektet e vështira dhe të kushtueshme te rinatyralizimit të lumenjve, por gjithashtu Vjosa shërben si një model i plotë ku këto projekte mund të mbështeten në raport me masat teknike që kanë nevojë të ndërmerren.
Vizita ka vijuar më tej me një takim të delegacionit shqiptar me Eurodeputetin Z. Thomas Waitz, i cili përfaqëson grupimin e “Të gjelbërve” në Parlamentin Evropian dhe në të njëjtën kohë është edhe një nga reporterët për Shqipërinë në këtë institucion.
Ai shprehu konsideratën e tij për rastin e suksesit të mbrojtjes së lumit Vjosa si një çështje e ngritur nga baza drejt vendimmarrjes qendrore. Gjithashtu duke pranuar sfidat e reja në lidhje me qeverisjen e mirë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të luginës së Vjosës, ai shprehu angazhimin e tij maksimal për të ndikuar në Komisionin Evropian dhe në vendet anëtare për një vëmendje të shtuar kundrejt Vjosës sa i takon ndihmës politike, financiare dhe teknike.
Vizita përfundoi me një shkëmbim përvojash nga këndvështrimi i shoqërisë civile, ku pjesëmarrësit u njohën me punën e dy organizatave që punojnë në fushën e ruajtjes së natyrës NABU dhe atë të eficiencës së energjisë, RESCOOP.
Kjo ishte vizita e dytë studimore për shkëmbimin e përvojave e organizuar në kuadër të projektit pas asaj të zhvilluar në 3 Parqet Kombëtare të Gesäuse, Kalkapen dhe Thayatal,të zhvilluar në Austri në tetor të vitit 2022.
—
Projekti ESPID 4 Vjosa është një projekt i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim – ADA, i cili zbatohet nga organizatat Euronatur dhe EcoAlbania.
Projekti synon të lehtësoje ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes aktorëve te vendim-marrjes, shoqërisë civile dhe shkencës në proceset vendim-marrëse të qeverisjes dhe menaxhimit të mire në sektorin e ujit, në basenin e lumit Vjosa.