++ Përfaqësuesit e Konventës së Bernës theksojnë rëndësinë e mbrojtjes së Vjosës – Ndërkohë, qeveria shqiptare nënshkruan kontratën e koncesionit për HEC-in e Kalivaçit ++
Përfaqësuesit e Konventës së Bernës vizituan Vjosën për të hetuar se deri në çfarë mase planet për zhvillimin e hidrocentraleve po rrezikojnë objektivat e Konventës. Vlerësimi në vend u shoqërua nga një ekspert i pavarur.
Konventa e Bernës është një prej konventave më të rëndësishme të ruajtjes së natyrës lidhur me mbrojtjen e biodiversitetit në Evropë, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar. Në kuadër të fushatës “Të shpëtojmë Zemrën Blu të Evropës”, ne kemi tërhequr në mënyrë të përsëritur vëmendjen e Konventës ndaj kërcënimit akut me të cilin përballet Vjosa për shkak të projekteve të hidrocentraleve. Specie dhe habitate që janë të mbrojtura sipas Konventës së Bernës, të tilla si Laguna e Nartës afër gojës së Vjosës në Detin Adriatik, do të cenohen.
Gjatë misionit të vlerësimit në vend, Iva Obretenova nga Sekretariati i Konventës së Bernës theksoi edhe një herë unikalitetin e Vjosës: “Ka të dhëna, të siguruara edhe nga hulumtuesit dhe shoqëria civile, se sistemi i lumit Vjosa është shumë i pasur me biodiversitetin dhe ofron habitate dhe ekosisteme unike me rëndësi evropiane. Autoritetet shqiptare duhet të eksplorojnë zonën në tërësi pasi ajo mund të ofrojë vende të përshtatshme për plotësimin e Rrjetit Emerald në vend. Zonat Emerald zakonisht i propozohen Konventës së Bernës nga shtetet dhe mund të arrijnë të njëjtin status mbrojtje si zonat e Natura 2000 në vendet e BE-së.
Aktualisht, megjithatë, qeveria shqiptare duket se është indiferente ndaj detyrimeve të saj për të ruajtur trashëgiminë natyrore europiane: në të njëjtën kohë me vlerësimin në vend të Konventës së Bernës, kontrata e koncesionit për hidrocentralin e Kalivaçit është nënshkruar – megjithëse, referuar informacionit që kemi, leja mjedisore ende nuk është dhënë. Kontrata e koncesionit u nënshkrua me kompaninë turke, e cila më parë i ishte dhënë leja e ndërtimit për projektin hidroenergjetik Poçem, punimet e të cilit kanë ndaluar, pas shpalljes së pavlefshmërisë së kontratës konçesionare nga Gjykata Administrative e Shkallës së I-rë, Tiranë. Të dy hidrocentralet janë planifikuar në pjesën e poshtme të Vjosës dhe do të shkatërronin një pjesë veçanërisht të rëndësishme të lumit.
“Ky hap vjen si një shuplakë për Konventën e Bernës”, komentoi Theresa Schiller, koordinatore e fushatës Blue Heart në EuroNatur. “Fatmirësisht, Konventa e Bernës e merr çështjen Vjosa shumë seriozisht. Tani është koha për të vepruar: Konventa e Bernës duhet urgjentisht t’i ofrojë qeverisë shqiptare rekomandime të qarta për të mbrojtur në mënyrë të përhershme këtë trashëgimi natyrore unike evropiane, para se të jetë tepër vonë”.
“Ardhja e Konventës së Bernës për të marrë kontakt me banorët e zonave të prekura, institucionet shtetërore, organizatat mjedisore, ekspertët e mjedisit dhe përfaqësitë e institucioneve evropiane në vend është një mundësi shumë e mirë për krijimin e një panorame të qartë lidhur me atë që po ndodh në Vjosë prej vitesh – u shpreh Olsi Nika nga EcoAlbania, koordinatori për Shqipërinë i fushatës “Të Shpëtojmë Zemrën Blu të Evropës”. – Ne jemi në pritje të raportit mbi këtë mision vlerësimi, i cili jemi të sigurt se do të dëshmojë edhe për nivelin e funksionimit të ligjit lidhur me koncesionet e HEC-eve në Shqipëri”.