Komisioni: Qeveria shqiptare të zbatojë rekmandimet e dhëna në vitin 2018
+Mbetet e hapur çeshtja e hidrocentaleve të Poçemit dhe Kalivaçit nga Konventa e Bernës+
Strasbourg, Tiranë, 8 dhjetor 2019. Komisioni i Përhershëm i Konventës së Bernës vendosi të mbajë të hapur çeshtjen kundër qeverisë shqiptare mbi hidrocentralet e Poçemit dhe Kalivaçit, që planifikohen të ndërtohen mbi lumin Vjosë. Njëkohësisht ky komision i kërkoi qeverisë të përgatisë Planin e Menaxhimit të Integruar të Basenit si dhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor, duke përfshirë aspektin social para se të ndërmerret çdo zhvillim i ri në lidhje me projektet e këtyre hidrocentraleve.
Vendimi u mor në mbledhjen e 39-të, mbajtur në Strasburg, më 3-6 dhjetor 2019, ku gjithashtu u kërkua zbatimi i kërkesave të Konventës sipas Rekomandimit të vitit 2018, kur vendosi hapjen e çeshtjes kundër qeverisë. Diskutimi mbi çeshtjen e hidrocentraleve të Poçemit dhe Kalivaçit u bë në mungesë të përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, të cilëve iu kërkua që të raportojnë urgjentisht mbi progresin e bërë në përmbushjen e rekomandimeve të lëna vitin e kaluar.
Lumi Vjosa është një ekosistem unik me rëndësi ndërkombëtare, por që rrezikon të tjetërsohet nga planet për ndërtimin e më shumë se 40 hidrocentraleve. “Në cilësinë e ankimuesit, i kërkojmë Konventës së Bernës të rrisë presionin ndaj qeverisë shqiptare për zbatimin e rekomandimeve të vitit 2018, sipas të cilës qeveria duhet të kishte pezulluar projektet e Poçemit dhe Kalivaçit”, tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania dhe koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.
Ndërkaq, një tjetër zhvillim që do të ndiqet me shqetësim nga Komiteti i Përhershëm i Bernës është edhe plani për vogëlimin e territorit të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë, që është njëkohësisht edhe zonë Emerald – pjesë e rrjetit ekologjik të zonave me interes të veçantë ruajtje. “Zona e mbrojtur Vjosë-Nartë është një nga zonat më të rëndësishme të luginës së Vjosës me një biodiversitet të pasur dhe integritet të lartë natyror”, shtoi Nika.
Lumi Vjosa konsiderohet si lumi i fundit i egër në Evropë, duke qenë se rrjedh i pandërprerë përgjatë gjithë gjatësisë së tij dhe përbën një ekosistem unik me rëndësi ndërkombëtare.