JavaNews: Mbrojtja e Vjosës – përmbushje e standardeve mjedisore

Nga Prof. Aleko Miho / FSHN, UT

Në 15 Prill 2016, Parlamenti Europian në Rezolutën për vendin tonë i bën thirrje Qeverisë Shqiptare ‘të kontrollojë zhvillimin e hidrocentraleve në zonat e ndjeshme mjedisore, si në lumin Vjosë, ashtu dhe në zonat e mbrojtura, për të ruajtur integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese’ (Pika 23). Po aty, rekomandon ‘përmirësimin e cilësisë së raporteve të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM-të); kjo do të lejonte zbatimin e standardeve të BE të dhëna në Direktivat e Shpendëve dhe Habitateve, si dhe në Direktivën Kuadër të Ujit (WFD)’. Rezoluta nxit, gjithashtu, Qeverinë tonë ‘të rritë transparencën përmes pjesëmarrjes publike dhe përmes konsultimeve për gjithë projektet e planifikuara’.


Prof. Aleko Miho Biolog. (c) EcoAlbania

Kjo është Rezoluta e dytë që merr në shqyrtim çështjen e HEC-ve në Shqipëri dhe veçanërisht në Vjosë. Një vit më parë, po në Prill 2015, PE i kërkon Qeverisë ‘braktisjen e planeve për ndërtimin e HEC-eve përgjatë lumit të Vjosës dhe degëve të tij, sepse këto projekte do të dëmtojnë lumin e fundit të egër në Europë dhe ekosistemet e tij natyrore’.

Këto dy Rezoluta përbëjnë një këmbanë alarmi për Shqipërinë lidhur me qëndrimin ndaj natyrës dhe ndaj lumenjve në veçanti.

Pavarësisht nga disa masa mbrojtëse në vitet e fundit, përsëri pak kuptohet rëndësia e çështjeve mjedisore në atmosferën shqiptare, si atë shtetërore dhe private. Etja për zhvillim të shpejtë dhe për pasurim në çast shpesh mbyll sytë dhe errëson rrugën tonë! Për fat ndodh që kjo ngutje të na kthehet mbrapsht me kosto, madje mjaft rëndë dhe jo e riparueshme.

Më duhet të theksoj se mbrojtja e natyrës dhe e biodiversitetit nuk është një kërkesë e thjeshtë vetëm e ekspertëve të mjedisit apo dashamirësve mjedisorë, apo e faktorëve ndërkombëtar, por një detyrim kushtetues dhe i ligjeve që burojnë prej saj. Në Nenin 59 të Kushtetutës sanksionohet se Shteti Shqiptar duhet të synojë ‘për shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe pasurive të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm’ (Pika dh).

Shqipëria nuk është një vend i ngujuar nga bota, por është palë në shumë organizma ndërkombëtare, shumë konventa, përfshirë dhe ato që interesohen për çështje të mjedisit. Vendi ynë bashkëpunon ngushtë me Bashkimin Europian, ku përmbushja e disa standardeve kanë shumë rëndësi.

Si vend kryesisht malor, por edhe bregdetar njëkohësisht, Shqipëria dallohet për biodiversitet të lartë; këtu nuk bëjnë përjashtim lumenjtë. Gjendja natyrore dhe vlerat e biodiversitetit të lumenjve shqiptarë mendohet të jetë ndër më të lartat në Ballkan. Nga mbi 3100 km rrjedhje lumore që ka gjithsej Shqipëria, rreth 2200 km (pra mbi 70%) kanë shkallë të lartë ruajtje, janë gati të paprekura, përfshirë këtu edhe zonat kënetore apo deltat lumore të tyre. Këtu dallohen lumenjtë në Alpe, si Valbona, Shala, Cemi, kurse në jug dallohet Lumi Vjosë me degët e tij, Langaricë, Bënçë, Kardhiq etj.

Artikullin e plotë të publikuar nga JavaNews.al mund ta gjeni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *