Ulrike Lunacek, zëvendës/ presidentja e Parlamentit Evropian, anëtare e Grupit të të Gjelbërve në Parlament, flet për Reformën në Drejtësi, Brexit, zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, Kosovën, por edhe rezistencën për ndërtimin e digave në lumenjtë e vendit etj.
Intervistoi Ben Andoni
Gruaja energjike që raporton për Kosovën dhe Shqipërinë, por edhe për mjedisin dhe komunitetin LGBT në PE thotë për JAVAnews se realisht mosmiratimi i Reformës në Drejtësi do ketë pasoja. Më së shumi në vonesën në procesin e anëtarësimit në BE, shtuar edhe me shumë probleme të brendshme. Në këtë intervistë të gjatë, për shkak edhe të funksioneve të saj, ajo është pyetur veç Reformës së Drejtësi edhe për probleme të politikës së jashtme të BE-së, me patjetër Brexit, por edhe Kosovën dhe Turqinë, si edhe ndërtimin e digave në Jug të vendit. Për të gjitha, ajo ka pasur përgjigjen e saj, pa hezituar. “Unë besoj fort se progresi në Reformën e Drejtësisë gjithashtu do të japë krah zgjerimit të luftës kundër korrupsionit dhe asaj kundër krimit të organizuar si edhe do të ndihë rrugën e Shqipërisë drejt hyrjes në Bashkimin Evropian. Nëse nuk do të ketë progres këtu procesi i hyrjes në BE do të jetë gjithashtu në rrezik”, thotë ajo.
Ndërkohë, një temë, ku jemi ndalur ka qenë Brexit, duke dashur të dimë rrjedhën e pasojave në kontinent. Dhe, znj. Lunaçek nuk është fshehur. “Vendimi- Brexit megjithatë shënon fillimin e një periudhe dyshimi brenda vetë BE-së. Britania e Madhe ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të zgjerimit, kështu që paqartësia se nëse apo kur do ta lerë BE-në, fatkeqësisht do ta dobësojë gjithashtu mbështetjen për zgjerim brenda BE-së”.
E megjithëse është anëtare e një grupi parlamentar të PE-së që e përkrah liberalizimin e vizave me Turqinë, është kritike për politikën shtetërore të presidentit Erdogan dhe presionin që ai po bën për përfitime pa përmbushur kriteret.
Znj.Ulrike Lunaçek e përfundon intervistën me një vështrim kritik për qeverinë Rama, lidhur me ndërtimin e digave në Jug të vendit, një aksion, ku ajo ka qenë e përfshirë direkt. “E nxis kryeministrin Rama dhe qeverinë shqiptare që ta rishikojë pozicionin e tyre në lidhje me digat e hidrocentraleve: Shqipëria është një shtet kandidat për anëtare në BE dhe si rrjedhim duhet të aplikojë standardet mjedisore të BE-së.
Do të ishte fatkeqësi nëse vlera me e madhe natyrore në Evropë të humbiste përgjithmonë dhe Shqipëria ka një përgjegjësi të veçantë dhe rëndësi në këtë drejtim”, shprehet ajo.
Për të ndjekur intervistën e plotë klikoni ne linkun: Javanews