++ Sot lumi Vjosa është shpallur Parku i parë Kombëtar i lumit të Egër në Evropë ++ EuroNatur, Riverwatch, EcoAlbania dhe shumë partnerë të tjerë kanë punuar për këtë ditë prej shumë vitesh ++ Lumi Aoos në anën greke, delta e Vjosës dhe degët e saj gjithashtu duhet t’i jepet mbrojtje e gjerë +
15 Mars 2023 Radolfzell, Vjenë, Tepelenë. Në një ceremoni zyrtare në Tepelenë mëngjesin e sotëm, qeveria shqiptare shpallën lumin Vjosë park kombëtar të lumit të egër. Prej sot, i gjithë lumi Vjosa në Shqipëri, nga kufiri me Greqinë deri në detin Adriatik bashkë me degët e tij – një sistem lumor me një gjatësi totale mbi 400 kilometra – kanë nivelin më të lartë të mbrojtjes. Kjo është diçka unike në Evropë.
Pas më shumë se dhjetë vitesh përpjekjesh të vazhdueshme dhe pune për ruajtjen e një prej lumenjve të fundit të egër në Evropë, EuroNatur, Riverwatch, EcoAlbania dhe shumë aktivistë të tjerë po gëzohen për këtë moment të madh historik. Megjithatë, puna për ruajtjen e Vjosës vazhdon.
“Ne kemi luftuar gjatë dhe fort me partnerët tanë për këtë ditë, me seanca gjyqësore, peticione dhe diskutime me përgjegjësit në qeveri dhe me komunitetet lokale. Sot ne mund të festojmë”, thotë Annette Spangenberg, Drejtoresha e Konservimit pranë EuroNatur. “Tani do të vazhdojmë fushatën që degëve të tjera dhe deltës së lumit t’u jepet mbrojtje në mënyrë që tërësia e ekosistemit unik të lumit Vjosa të ruhet përgjithmonë.”
“Ky Park Kombëtar i Lumit të Egër nuk është vetëm një moment historik i rëndësishëm për Vjosën dhe Shqipërinë, por për ruajtjen e lumenjve në të gjithë Evropën. Ai vendos, për herë të parë, një koncept ruajtjeje ku mbrohet një sistem i tërë lumi dhe jo vetëm seksione të veçanta të një lumi”, thotë Ulrich Eichelmann, Drejtori i Riverwatch. “Koncepti i një parku kombëtar të lumit të egër duhet të shërbejë si model për lumenjtë e tjerë në Evropë, si përgjatë Moraçës në Mal të Zi dhe lumenjve Neretva dhe Una në Bosnje-Hercegovinë. Lumi Vjosa është parku i parë kombëtar i lumit të egër në Evropë, por nuk duhet të jetë i vetmi. Sot një mesazh i rëndësishëm del nga Shqipëria në të gjithë Evropën.”
“Shpallja e Vjosës Park Kombëtar është kulmi i përpjekjeve dhjetëvjeçare të një grupi të gjerë aktorësh. Sot, me shpalljen e parkut kombëtar, jo vetëm shoqëria civile, por edhe Shqipëria vendos një standard të ri në ruajtjen e natyrës, pasi për herë të parë mbrohen rreth 400 km rrjedhje natyrore lumore, e cila është një nismë unike për Europën dhe botën”, thotë Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.
“Tani është koha që edhe Greqia të bëjë një hap shtesë drejt kësaj. Pjesa më e madhe e pellgut të lumit Aoos në territorin grek gjendet brenda kufijve të Parkut Kombëtar ekzistues të Pindosit Verior. Megjithatë, një pjesë e vogël midis Parkut Kombëtar dhe kufirit me Shqipërinë janë deri më sot të pambrojtur, duke lënë pothuajse 70 km shtrirje lumore të ekspozuara ndaj kërcënimeve, siç janë hidrocentralet”, thotë Alexandra Pappa, Menaxhere e Programit të Ujërave të ëmbla në MedINA. “Mbrojtja institucionale e Aoos në tërësinë e saj do të jetë rruga për krijimin e parkut të parë kombëtar ndërkufitar të lumit të egër në Evropë me përfitime të jashtëzakonshme për njerëzit dhe natyrën.
Informacion shtesë:
Për lumin Vjosa/Aoos
Lumi Vjosa/Aoos është një nga lumenjtë e fundit më të mëdhenj të egër në Evropë, jashtë Rusisë. Ai rrjedh nga malet në Greqi, ku quhet Aoos, deri në detin Adriatik në Shqipëri. Së bashku me degët e saj, Vjosa/Aoos formon një ekosistem me një nivel të konsiderueshëm biodiversiteti me rëndësi kombëtare dhe globale. Megjithatë, rajoni ofron edhe perspektiva ekonomike. Ekoturizmi përgjatë lumit dhe degëve të tij po rritet vazhdimisht, veçanërisht gjatë viteve të fundit kur është njohur dhe zhvilluar potenciali për aktivitete të tilla si rafting.
Parku Kombëtar i Lumit të Egër.
Ky është një park kombëtar që mbron ekskluzivisht lumenjtë dhe e bën këtë në një zonë të madhe, pra sisteme të tëra lumore. Lumenjtë janë ndër llojet e habitateve më të kërcënuara në mbarë botën. Shembulli i llojeve të peshqve migrues në Evropë tregon se sa të rrezikuar janë. Që nga viti 1970, popullata e tyre (p.sh. ngjala, harenga e lumit, blini) kanë rënë me 94% , kryesisht si rezultat i devijimit të lumenjve dhe ndërtimit të digave.
Fushata “Save the Blue Heart of Europe” synon mbrojtjen e lumenjve me vlera të larta natyrore në Ballkan, të cilët kërcënohen nga më shumë se 3400 projekte hidroenergjetike. Fushata koordinohet nga OJQ-të ndërkombëtare Riverwatch dhe EuroNatur dhe zbatohet së bashku me organizatat partnere në vendet e Ballkanit. Partneri lokal në Shqipëri është EcoAlbania, në Greqi MedINA. Informacione të mëtejshme gjenden në https://balkanrivers.net/de.
Fushata mbështetet ndër të tjera nga Fondacioni Manfred Hermsen. Kompania e veshjeve te terrenit Patagonia gjithashtu ka mbështetur fuqishëm angazhimin tonë për Parkun Kombëtar të Vjosës. Partnerë të tjerë që kanë kontribuar në luftën për mbrojtjen e lumit ndërkufitar Vjosa/Aoos janë IUCN ECARO, Pindos Perivallontiki dhe The Green Tank nga Greqia, Tour du Valat, Wetlands International dhe Fondacioni MAVA për Natyrën.