Nga Ola Mitre
Tridhjetë organizata mjedisore, të shpërndara në të gjithë vendin, japin alarmin se mbi 70% e partive politike të regjistruara në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit, nuk kanë bërë publike programet e tyre për zhvillimin e ardhshëm ekonomik, social dhe kulturor të vendit. Ndërkohë që, në deklaratat dhe premtimet publike të liderëve të këtyre partive, neglizhohen, thuajse nuk përmenden fare, politikat mjedisore të cilat udhëheqin vendin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në linjë me vendet e Bashkimit Evropian. “Kjo mangësi përbën një rrezik për të ardhmen që ne duam dhe për integrimin e vendit dhe qytetarëve shqiptarë në Bashkimin Evropian”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e firmosur nga 30 organizatat e shoqërisë civile.
Zhvillimi i gjelbër
Tri partitë që kanë marrë numrin më të madh të votave në zgjedhjet e vitit 2013 (PS, PD dhe LSI), kanë publikuar programet e tyre. Ndërkohë që, nga një analizë paraprake, rezulton se mjedisi nuk është pjesë e ‘manifestit’ të prezantuar nga Partia Socialiste. Në dokumentin 32-faqësh, përfshihet vizioni për një sërë sektorësh, por për zhvillimin e gjelbër nuk janë paraqitur politikat që do të ndiqen. Kjo parti ka prezantuar programin për një treg energjetik potencial, ku ndër të tjera thuhet se do të synohet diversifikimi i burimeve të energjisë si dhe shtimi i kapaciteteve të reja hidrike, por nuk saktësohet më tej sesi parashikohet të zbatohen këto politika, që ndërthuren me aspektin mjedisor. Nga ana tjetër, programi i Partisë Demokratike përmban 26 pika në drejtim të mjedisit, turizmit dhe pyjeve. “Heqja e detyrimit për leje mjedisore për dyqanet e vogla në zonat e banuara, ndalim i shfrytëzimit të shtretërve të lumenjve për inerte apo ndalim i prerjeve të paligjshme të pyjeve, janë disa nga pikat e këtij programi.
Po ashtu, parashikohet mbështetje për nxitje mjedisore, si për shembull efiçenca e energjisë apo përdorimi i burimeve të pastra të energjisë. I pyetur se çfarë nënkupton mbështetja financiare, kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi tha se “Departamenti i Energjisë në PD dhe Departamenti i Financave e kanë pasur në programin e tyre nxitjen e energjive të rinovueshme”. “Ne si Departament i Mjedisit do të mbështesim alternativat, në lidhje me energjinë e rinovueshme. Për shembull, nëse do të kemi propozime për inceneratorë për prodhimin e energjisë nga mbetjet, ne do të bëhemi barrë. Ne do të kërkojmë të bëjmë studimet e VNM-së me modelime nga studio ndërkombëtare, sepse ndotja që po shkaktohet në Elbasan është kancerogjene. Ndërkohë që, për energjinë e rinovueshme do të jemi mbështetje me sa të kemi mundësi”, – shtoi Malltezi gjatë një konference për prezantimin e programit të mjedisit.
Pjesë e programit të PD-së është edhe “rishikim i politikës dhe legjislacionit të koncesioneve të HEC-eve, duke forcuar standardet për mbrojtjen e natyrës”. “Ne duhet të kemi një balancë, jo vetëm për prodhimin e energjisë, por edhe për mbrojtjen e natyrës. Jam në dijeni që ka pasur shumë dhënie lejesh për HEC-e, të cilat kanë cenuar zonat e mbrojtura. Ato, absolutisht duhen rishikuar. Në rast se kemi cenime të zonave qendrore të zonave të mbrojtura, do të duhet të kemi ndryshim ose rishikim të projekteve. Do të ketë edhe anulim të lejeve, në rast se lejet do të jenë sidomos në zonat e mbrojtura, të cilat gëzojnë status të lartë mbrojtjeje”, – tha Malltezi, duke shtuar se nuk ka një shifër se sa do të reduktohet numri i 520 digave të miratuara për t’u ndërtuar.
Artikullin e plotë e gjeni të publikuar te Gazeta Shqiptare.