Lezhë, 22 prill 2024. Rezervati natyror “Kune-Vain-Talë” u bë qendra e një aktiviteti të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit dhe edukimin e nxënësve. Nxënësit e shkollës “Ndoc Gjetja” në bashkëpunim edhe me ADZM Lezhë morën pjesë në këtë aktivitet ndërgjegjësimi për të festuar Ditën e Tokës. Ky moment shënoi një mundësi për të reflektuar për rendësinë e mjedisit tonë dhe për të vepruar në përputhje me nevojat e tij.
Në këtë aktivitet, nxënësit u përballën me realitetin e ndotjes së mjedisit dhe pasojat që kjo sjell për natyrën dhe për jetën tonë. Ata u angazhuan në pastrimin e zonës, duke filluar nga laguna dhe duke vazhduar me plazhin. Përpos thjesht pastrimit, ata shkëmbyen edhe eksperiencat e tyre për të mbrojtur dhe ruajtur mjedisin në të ardhmen.
Dita e Tokës është një rast për të reflektuar mbi lidhjen tonë me planetin tonë dhe për të marrë masa për të ndryshuar sjelljen tonë ndaj tij. Në një kohë kur ndryshimet klimatike dhe ndotja mjedisore janë sfidat kryesore globale, është e rëndësishme që të bashkohemi në përpjekjet për të mbrojtur Tokën.