Kotë, 24 Maj 2023. Fëmijë të shkollës 9 vjeçare të fshatit Kotë, Selenicë, u bënë pjesë e aktivitetit të organizuar në kuadër të Ditës Europiane të Parqeve në lumin Shushicë, degë e lumit Vjosa. Ky aktivitet kishte për synim jo vetëm argëtimin e fëmijëve, por edhe edukimin dhe ndërgjegjësimin e tyre në lidhje me biodiversitetin e lumit Vjosë.
Aktiviteti nisi me një prezantim nga ekipi i EcoAlbania, të cilët përmes bashkëbisedimit njohën fëmijët me vlerat e lumit si dhe rëndësine e ruajtjes së tij. Fëmijët ishin të interesuar në lidhje me Ditën Europiane të Parqeve dhe mësuan mbi Kategoritë e Zonave të Mbrojtura sipas legjislacionit vendas dhe standardeve të IUCN.
Në pjesën e dytë të aktivitetit u krijuan kostume të specieve të Vjosës me materiale gjysëm të gatshme. Fëmijët u ndanë në 6 grupe: Ngjala, Breshka e Pellgut, Kali i Qyqes, Bretkosa Shqiptare, Trofta e Malit dhe Pilivesa. Secili grup duhet të ndërtonte kostumin nga materialet dhe kitet e ofruara në bazë të një manuali. Në fund çdo grup do të paraqiste specien e lumit dhe do të lexonte një përshkrim të shkurtër të ciklit të jetës dhe informacion mbi gjendjen e gjallesës ë rrezikuar. Synimi i aktivitetit ishte që fëmijet të kuptonin rëndësinë e ruajtjes së habitatit lumor të këtyre gjallesave dhe mbrojtjen e tij nga ndotja.
Kostumet u realizuan më së miri me kreativitetin që fëmijët shfaqën në punën e tyre. Ata dëshironin ta ndanin këtë eksperiencë dhe me shokët e tyre të shkollës. Aktiviteti u përmbyll me një foto të të gjithë pjesëmarrësve si një kujtim i bukur i asaj dite.