CONNECTA: Përmbyllet takimi me bashkitë përgjatë korridorit ekologjik

Në kuadër të projektit CONNECTA, EcoAlbania zhvilloi një seri takimesh me bashkitë jugore të korridorit ekologjik Polis-Valamarë-Rungajë-Moravë-Gramoz, duke përfshirë bashkitë Skrapar, Maliq, Devoll, Korçë, dhe Kolonjë, me synim njohjen, forcimin e bashkëpunimit, dhe identifikimin e mundësive për veprim të përbashkët në territor.

Takimet u zhvilluan si një hap i rëndësishëm i projektit, duke vijuar punën e nisur gjatë projektit ISCCA. Gjatë takimeve, EcoAlbania prezantoi projektin, objektivat, dhe aktivitetet, si dhe konceptin e korridoreve ekologjike, ruajtjes së biodiversitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Njëkohësisht, takimet krijuan mundesine për të dëgjuar nga afër prioritetet, sfidat dhe iniciativat që bashkitë po zhvillojnë në territoret e tyre.

Nga turizmi i qëndrueshëm tek zhvillimi rural

Në Bashkinë Skrapar, diskutimi u përqëndrue veçanërisht tek potenciali i turizmit të qëndrueshëm, duke përfshirë shtigjet, rafting, promovimin e produkteve lokale dhe aktiviteteve që lidhen me traditat e zonës. U identifikuan mundësi bashkëpunimi për hartëzimin e shtigjeve, trajnimin e guidave lokale dhe zhvillimin e aktiviteteve që lidhin turizmin me vlerat natyrore të territorit.

Në Bashkinë Maliq, diskutimi u fokusua te mundësitë për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale dhe fshatrave që përfshihen në territorin e bashkise. U diskutua gjithashtu për shtigjet e ecjes dhe mundësitë e lidhjes së zhvillimit rural me promovimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Në Bashkinë Devoll, përfaqësues të sektorit të pyjeve ndanë përvojën e tyre në punën e rehabilitimit të pyjeve dhe sfidat me të cilat përballen. Një ndër çështjet e ngritura gjatë takimit ishte dhe rritja e problematikës së zjarreve në pyje, e cila përbën një sfidë të rëndësishme për menaxhimin dhe mbrojtjen e ekosistemeve pyjore.  

Në Bashkinë Korçë, diskutimi u përqëndrua tek sipërfaqet e konsiderueshme pyjore të bashkisë dhe iniciativat e ndërmarra për mbrojtjen e tyre. Një nga çështjet e trajtuara ishte reduktimi i presionit mbi pyjet për përdorim familjar të druve të zjarret, përmes masave për izolim termik të banesave dhe rritjes së eficiencës energjitike. Bashkia ndau gjithashtu informacion mbi mbështetjen e dhënë në këtë proces.

Në Bashkinë Kolonjë, vëmendja u përqëndrua te iniciativat për promovimin dhe zhvillimin e produkteve vendase. Përfaqësuesit ndanë shembuj të punës për grumbullimin, përpunimin dhe paketimin e produkteve tradicionale të zonës nga fermerët dhe blegtorët vendas. Këto iniciativa synojnë të krijojnë mundësi ekonomike për komunitetin dhe të rrisin vlerën e produkteve lokale.

Bashkëpunim për një territor më të lidhur

Takimet treguan se secila prej bashkive ka karakteristika, prioritete dhe sfida të ndryshme, por gjithashtu evidentuan mundësi të përbashkëta për të lidhur ruajtjen e natyrës me zhvillimin lokal. Turizmi i qëndrueshëm, rehabilitimi dhe mbrojtja e pyjeve, zhvillimi rural, produktet lokale dhe përfshirja e komuniteteve janë disa nga fushat ku mund të ndërtohen ura bashkëpunimi në kuadër të projektit CONNECTA.

Këto takime do të shërbejnë si bazë për vijimin e dialogut me bashkitë dhe për identifikimin e aktiviteteve dhe hapave konkretë gjatë zbatimit të projektit. Pëmes këtij bashkëpunimi, CONNECTA synon të forcojë lidhjen mes ruajtjes së biodiversitetit, korridoreve ekologjike dhe nevojave të komuniteteve lokale, duke kontribuar në një zhvillim më të qëndrueshëm të territorit.