Java Shkencore në Pellgun e Vjosës: Një eksperiencë praktike për studimin e biodiversitetit dhe ekosistemeve lumore

Nga data 27 prill deri më 2 maj u organizua Java Shkencore në Pellgun e Vjosës, duke përfshirë zona si Tepelena, Gjirokastra, Përmeti, Tre Urat, Lumi i Vlorës, Zvërneci, Delisufi, dhe Mifoli. Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim mes EcoAlbania dhe Departamentit të Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës (UT), me mbështetjen e Fondacionit Zviceran Sylvia & Reinhard Bachofen, projektit VjoSusDev, dhe FShN, UT.

Në këtë aktivitet morën pjesë 16 studentë nga programet MSc. Biologji Mjedisi dhe BSc. Shkenca Natyrore dhe Mjedisore. Grupit iu bashkua edhe një student i MSc. Ekologji nga Universiteti i Kalabrisë (Itali), i cili po zhvillon praktikën pranë Departamentit të Biologjisë. Gjithashtu, në Tepelenë dhe Përmet u bashkuan katër studentë natyralistë nga AgroParisTech – Campus of Nancy (Francë), anëtarë të Mission Dinara – Les Blairoudeurs.

Aktiviteti u drejtua nga një ekip ekspertësh, perfshirë 5 ekspertë nga Departamenti i Biologjisë, ekspertë nga Qendra Kërkimore e Florës dhe Faunës dhe Fakulteti i Gjeologji-Minierave (UPT), si dhe Prof. Jakob Schneller nga Universiteti i Zyrihut, ekpert i florës dhe bimësisë.

Gjatë javës, pjesëmarrësit u organizuan në pesë grupe, ku studentë dhe ekspertë bashkëpunuan për mbledhjen e mostrave dhe vlerësimin e komponentëve të ndryshëm të ekosistemit, duke përfshirë bimësinë, hidrogjeologjinë, gjeomorfologjinë dhe dinamikën e ekosistemeve lumore. Gjatë qëndrimet në Tepelenë, u përdorën dhe ambientet e Qendrës Kërkimore në Vjosë (VRC), nën administrimin e EcoAlbania, për vlerësimin paraprak të mostrave të mbledhura në terren.

Qëllimi i Javës Shkencore ishte njohja dhe aftësimi praktik i studentëve në monitorimin biologjik mjedisor, studimin e biodiversitetit dhe analizën gjeologjike-gjeomorfologjike. Në këtë kuadër u vizituan zona me rëndësi të veçantë natyrore, si Parku Kombëtar i Lumit të Egër Vjosa, Parku Kombëtar i Hotovë-Dangëllisë, një sërë Monumentesh Natyrore (Burimet Termale të Bënjës (Përmet), Vromonero (Leskovik), Ujin e Ftohtë (Tepelenë), Virua (Gjirokastër), Kanionet e Bënçës, Buronjat e Kuçit, Ilqet e Zarelit dhe Kodrat Molasike të Zvërnecit), si dhe Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë (Delta e Vjosës).

Në Virua u zhvillua një takim informues me drejtuesit e Parkut Kombëtar të Vjosës, ndërsa në Përmet, pjesëmarrësit u njohën me një nga qendrat e informacionit në zhvillim për parkun, si dhe me iniciativat lokale për turizmin dhe interpretimin e natyrës përmes një guide lokale.

Gjatë ndalesave në terren, studentët u angazhuan në mbledhjen e të dhënave për biodiversitetin bimor (fitobentosi dhe makrofitet ujore) dhe shtazor (makroinvertebrorët, mejobentosi dhe vertebrorët). Një risi e këtij viti ishte marrja e mostrave ujore për analizat e ADN-së mjedisore në habitate të ndryshme, të cilat do të analizohen më tej në Zyrih.

Gjithashtu, u realizua mbledhja e koleksioneve shkencore me vlerë, ku Prof. Jakob Schneller kontribuoi në studimin e askomiceteve, një grup kërpudhash pak i njohur për këtë zonë dhe për Shqipërinë, ndërsa Prof. Asoc. E. Gjeta mblodhi një koleksion të pasur bimor për fondin e Herbarit Kombëtar pranë QKFF.

Për çdo stacion studimi, pjesëmarrësit analizuan nga afër habitatet, vlerat natyrore dhe treguesit kryesorë të monitorimit, me fokus të veçantë tek indikatorët biologjikë. Gjithashtu, u trajtuan metodat e kampionimit, ruajtjes dhe transportit të mostrave biologjike për analiza laboratorike.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua dhe ndikimit të aktivitetit njerëzor në mjedis, përfshirë urbanizimin, turizmin, transportin, bujqësinë, peshkimin dhe industrinë, si dhe marrëdhënieve komplekse midis këtyre faktorëve, ekosistemeve natyrore dhe shëndetit të njeriut.