Guidë e shtigjeve përgjatë korridorit ekologjik Polis-Valamarë-Rugnajë-Moravë-Gramoz

Guidë e shtigjeve përgjatë korridorit ekologjik Polis-Valamarë-Rugnajë-Moravë-Gramoz

Korridori ekologjik “Polis–Valamarë–Rungajë–Moravë–Gramoz”, i vendosur në juglindje të Shqipërisë, përfshin një zonë të gjerë malore që shtrihet në territorin e bashkive Librazhd, Përrenjas, Pogradec, Gramsh, Maliq dhe Skrapar. Ai lidh gjashtë zona të mbrojtura: Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, Parkun Natyror Stravaj-Sopot, Peizazhin e Mbrojtur Liqeni i Pogradecit, Peizazhin e Mbrojtur Guri i Nikës, Parkun Natyror Mali i Tomorrit dhe Parkun Natyror Dardhë-Xhyrë.

Ky korridor ka një rëndësi të veçantë për ruajtjen e popullatave të qëndrueshme të gjitarëve të mëdhenj, duke krijuar lidhje ekologjike midis maleve të Pindit në Greqi dhe sistemit malor qendror të Shqipërisë. Vargmali Valamarë–Polis përfaqëson një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin, ku është konfirmuar riprodhimi i Rrëqebullit të Ballkanit. Gjithashtu, në këtë ekosistem është dokumentuar prania dhe riprodhimi i ariut të murrmë, ujkut dhe rrëqebullit.

Megjithatë, korridori përballet me presione të vazhdueshme nga fragmentarizimi i habitatit, i shkaktuar nga prerjet, zjarret, urbanizimi dhe përdorimi jo i qëndrueshëm i burimeve natyrore. Këto sfida lidhen me kapacitete të kufizuara financiare, teknike dhe njerëzore, mungesë të të dhënave dhe studimeve, si dhe zbatim të dobët të legjislacionit mjedisor.