Më 12 mars 2026, në shkollën e mesme të bashkuar “Jonuz Çarçiu” në Gjergjovinë, Gramsh, u zhvillua një orë edukative me nxënësit e klasave 1-5, në kuadër të projektit ISCCA, me fokus në ndërgjegjësimin mbi biodiversitetin dhe rolin e korridoreve ekologjike.
Aktiviteti nisi me një prezantim të shkurtër, të përshtatur për moshën e nxënësve, mbi konceptin e korridoreve ekologjike dhe rëndësinë e biodiversitetit për funksionimin e ekosistemeve. Në vijim, nxënësit u përfshinë në një aktivitet praktik në grup, ku punuan për të ndërtuar zinxhirë ushqimorë dhe rrjete ushqimore.



Të organizuar në grupe, ata krijuan postera duke përzgjedhur specie të ndryshme dhe duke i lidhur ato sipas marrëdhënieve ushqimore. Duke filluar nga zinxhirë të thjeshtë ushqimorë, nxënësit arritën të ndërtojnë gradualisht një rrjet ushqimor të plotë, duke kuptuar më mirë ndërvarësinë midis organizmave në një ekosistem.
Aktiviteti synoi të përforëcojë të kuptuarit bazë të proceseve ekologjike përmes metodave ndërvepruese dhe krijuese, duke nxitur njëkohësisht interesin e nxënësve për natyrën dhe ruajtjen e saj, në përputhje me objektivat e projektit ISCCA për rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjes së komuniteteve lokale.