Bilisht, Devoll, 12 shkurt 2026
Në kuadër të projektit ISCCA, u zhvillua një orë edukative me 30 nxënës të vitit të parë në Gjimnazin “Fuat Babani” në Bilisht, me fokus rëndësinë e korridoreve ekologjik dhe lidhjen midis habitateve natyrore.
Kjo orë edukative nisi me një prezantim të shkurtër mbi konceptin e korridoreve ekologjik, fragmentimin e habitateve dhe ndikimin e urbanizimit, infrastrukturës, dhe ndërhyrjeve të tjera njerëzore në lëvizjen e specieve. Nxënësit u njohën me rolin që korridoret luajnë në ruajtjen e biodiversitetit, në lëvizjen dhe migrimin e kafshëve, si dhe dhe në mundësimin e shkëmbimit gjenetik mes popullatave.
Aktiviteti më pas vijoi me një punë praktike ku nxënësit u ndanë në grupe. Secilit grup iu dha një poster me një simulim të një peizazhi të fragmentuar, ku habitatet natyrore ishin të ndara nga njëra-tjetra. Detyra e tyre ishte të “rindërtonin” lidhjen mes habitateve, duke krijuar korridore ekologjike dhe duke rikthyer speciet në zonat e tyre natyrore.



Përmes këtij ushtrimi, nxënësit reflektuan mbi mënyrat se si mund të lidhen habitatet e ndara, cilat elemente natyrore mund të shërbejnë si korridore (brezat pyjorë, rikthimi i rrjedhës natyrore të lumenjve të ndërprerë nga digat, apo urat e gjelbra), si dhe cilat pengesa duhet të merren në konsideratë gjatë planifikimit të territorit.
Në fund të aktivitetit, secili grup prezantoi zgjidhjen dhe argumentoi mënyrën e vendosjes së korridoreve ekologjike dhe lidhjes së habitateve. Diskutimi nxori në pah rëndësinë e planifikimit të qëndrueshëm dhe rolin që ndërgjegjësimi mbi konceptin e korridoreve ekologjik luan në mbrojtjen e natyrës.
Kjo orë edukative synon forcimin e kuptimit të të rinjve mbi lidhjen mes zhvillimit dhe ruajtjes së natyrës, duke i inkurajuar ata të mendojnë në mënyrë kritike se si ndërhyrjet nga dora e njeriut ndikojnë në ekosisteme. Përmes aktiviteteve interaktive, konceptet e biodiversitetit dhe lidhjes ekologjike bëhen më të prekshme dhe më të kuptueshme për brezin e ri.
