Edukim mjedisor mbi rëndësinë e korridoreve ekologjike në Skënderbegas, Gramsh

Skënderbegas, Gramsh, 10 nëntor 2025

24 nxënës së Shkollës së Mesme të Bashkuar “Xhile Liçi” morën pjesë në një orë edukimi mjedisor me temën e korridoreve ekologjike, zhvilluar në kuadër të projektit ISCCA. Synimi i këtij aktiviteti ishte rritja e ndërgjegjësimit të të rinjve për rëndësinë e ruajtjes së lidhjes midis habitateve natyrore dhe mbrojtjes së jetës së egër.

Ora filloi me një prezantimi mbi korridoret ekologjike, ku nxënësit mësuan përmes shembujve konkretë se si ndërtimet, shpyllëzimet dhe barrierat e krijuara nga njeriu ndikojnë në fragmentimin e habitateve dhe kufizojnë lëvizjen e kafshëve të egra.

Në vijim, nxënësit morën pjesë në aktivitete edukative që nxitën reflektimin mbi marrëdhënien e tyre me natyrën. Përmes lojës “Pema e Jetës”, ata shprehën mendimet dhe mesazhet e tyre mbi dashurinë për mjedisin dhe mënyrat për ta mbrojtur atë. Gjithashtu, përmes lojës “Korridoret Ekologjike”, nxënësit kuptuan në mënyrë praktike konceptin e korridoreve ekologjike, në veçanti rëndësinë e tyre për lëvizjen e faunës së egër.

Kjo orë edukimi synon të frymëzojë të rinjtë të bëhen kujdestarë të ndërgjegjshëm të mjedisit, duke forcuar ndjenjën e përgjegjësisë ndaj natyrës dhe komunitetit të tyre. Aktiviteti është pjesë e përpjekjeve të projektit “Menaxhimi i Qëndrueshëm i Korridoreve Ekologjik në Zonën Polis-Valamarë-Rungajë-Moravë-Gramoz – ISCCA” për të forcuar konceptin e korridoreve ekologjik, rëndësinë dhe rolin e tyre në ruajtjen e biodiversitetit në vend.