Në shtator 2025, lumi Vjosa u njoh zyrtarisht si “Rezervë e Njeriut dhe Biosferës” nga UNESCO, gjatë Kongresit Botëror të Rezervave të Biosferës në Kinë. Ne e mirëpresim dhe e vlerësojmë këtë shpallje si pjesë të Programit MAB të UNESCO-s. Ky vlerësim thekson edhe më tej vlerën e jashtëzakonshme ekologjike dhe kulturore të lumit Vjosa dhe të peizazhit përreth tij, duke forcuar rëndësinë globale të mbrojtjes së tij.
Kjo shpallje shërben si një rikujtesë për përgjegjësinë e përbashkët që mbajnë si vendimmarrësit shqiptarë ashtu edhe Këshilli Koordinues Ndërkombëtar (MAB-ICC), i njohur gjithashtu si Këshilli MAB. Ndërsa sjell njohje ndërkombëtare, ajo shoqërohet edhe me pritshmëri për ndjekje rigoroze dhe menaxhim efektiv. Ky status nuk duhet parë thjesht si një titull prestigjioz, por si një angazhim për të siguruar që Vjosa të mbetet një ekosistem i gjallë dhe i qëndrueshëm. Kjo kërkon adresimin e kërcënimeve konkrete siç janë devijimi i ujit, derdhjet e naftës, nxjerrja e inerteve dhe menaxhimi i mbetjeve, të cilat vazhdojnë të dëmtojnë pellgun e Vjosës. Shumë prej këtyre problematikave ndodhen pikërisht në zonën e saposhpallur MAB.
Edhe pse ky status i UNESCO-s nuk prezanton instrumente të reja ligjore, ai ofron një kornizë të njohur ndërkombëtarisht që përfshin tre zona, secila me funksione dhe përdorime të ndryshme të lejuara. Zona bërthamë, e përcaktuar ligjërisht sipas legjislacionit kombëtar dhe që në këtë rast përkon me Parkun Kombëtar “Vjosa – Lumi i Egër”, gëzon nivelin më të lartë të mbrojtjes. Zona përreth (zona buferike) lejon vetëm aktivitete që janë të përputhshme me ruajtjen, përfshirë kërkimin shkencor, monitorimin, trajnimin dhe edukimin, ndërsa zona e jashtme e tranzicionit promovon zhvillimin e qëndrueshëm. Së bashku, parku kombëtar dhe Rezerva e Biosferës MAB theksojnë rëndësinë e mbrojtjes së lumit Vjosa e degëve të saj përmes veprimeve konkrete dhe të matshme në terren.
Detyra përpara është e qartë: organi menaxhues i Parkut Kombëtar “Vjosa – Lumi i Egër”, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse, duhet të propozojë masa konkrete, transparente dhe efektive për të adresuar kërcënimet që cenojnë integritetin e lumit brenda kufijve të parkut kombëtar. Për më tepër, duhet përcaktuar se cili institucion do të jetë përgjegjës për menaxhimin e zonës MAB. Kjo mund të jetë autoriteti ekzistues i parkut kombëtar ose një strukturë shtesë, siç ndodh në shumë vende të tjera dhe rezerva MAB, për të siguruar kapacitete të mjaftueshme. Vetëm atëherë Vjosa mund të përfitojë vërtet nga njohja që sjell ky status.
Prej më shumë se një dekade, komunitetet lokale, shoqëria civile dhe shkencëtarët kanë luftuar për mbrojtjen e këtij sistemi unik lumor. Ky titull mund të mbështesë këtë qëllim, por do të ketë kuptim të vërtetë vetëm nëse përkthehet në përmirësime reale në terren. Organizatat tona mbeten të angazhuara për të siguruar që si Parku Kombëtar ashtu edhe shpallja MAB të përdoren si mjete për forcimin e mbrojtjes, e jo si justifikime për t’u mjaftuar me arritje simbolike.