Tepelenë, 24 Dhjetor 2021. Sot në Tepelenë u ndërmor aksioni i mbjelljes së pemëve dhe inagurmit të stacionit të kampingut dhe sporteve ujore në parkun e Shelgut në Tepelenë nga EcoAlbania dhe Bashkia e Tepelenës me ndihmën e të rinjve nga lugina e Vjosës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe Kryetari i Bashkisë Tepelenë, Z. Tërmet Peçi, Kryetari i Këshillit Bashkiak Z. Elvis Shehu dhe deputeti i zonës Z. Laert Duraj.
“Kjo është një iniciativë e cila duhet kthyer ne traditë, pasi nëse duam të tregojmë që jemi të kulturuar mjedisi që na rrethon është pasaporta jonë. EcoAlbania ka qënë promotore e mbrojtjes së Vjosës dhe zhvillimit të ecoturizmit në zonë, prandaj ju duhet të jeni ambasadorët e parë të këtij lloj turizmi që duam të zhvillojmë në Tepelenë, sepse zoti na ka bekuar duke na rrethuar me 3 lumenjë male e kanione edhe histori si rrallëkund” u shpreh Z. Tërmet Peçi, kryetar i Bashkisë Tepelenë. Ndërsa deputeti i zonës, Z. Laert Duraj, u shpreh së ai është një nga mbështetësit e vizionit për shpalljen e parkut kombëtar të Vjosës dhe e përshëndet inviciativën e radhës së EcoAlbania.
Kjo nismë e realizuar në Tepelenë, buzë lumit Vjosa, synon promovimin dhe restaurimin e kësaj zone për t’i shërbyer zhvillimit të turizmit natyror në luginën e Vjosës. Zhvillimi i eko-turizmit në zone është një nga alternativat më të mira për zhvillimin e ekonomisë lokale, gjë e cila shkon edhe në përputhje me vizionin për shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombëtar.
“Aksioni i ripyllezimit të Parkut të Shelgut i cili u zhvillua paraditen e sotme me të rinjtë e luginës së Vjosës vjen si vazhdimësi e iniciativës “Pylli i shpresës” të nisur nga EcoAlbania, e cila synon të nxisë ripyllëzimin e luginës së Vjosës, ndërsa aksioni i radhës i mbështetur nga të rinjtë e qytetit të Teplenës dhe Përmetit, shërben jo vetem si stabilizues i bregut lumor por edhe si shembull i angazhimit rinor”, tha Olsi Nika nga EcoAlbania.
Lugina e Vjosës mbart potencial të lartë për zhvillimin e turizmit në zonë për shkak të vlerave natyrore dhe kulturore që përfaqëson. Ndërsa kjo iniciativë i hap rrugën jo vetem zhvillimit të turizmit në zonë por edhe punësimit të të rinjve në sektorin e eko-turizmit si një potenicial i rëndësishëm që do t’i bënte ata të zgjedhin të jetojnë e punojnë në vendlindje. Për më tepër, krijimi i strukturave mbështetëse për të praktikuar sportet në natyrë dhe sportet lumore, u mundëson të rinjve përfshirjen në sektorin e turizmit duke promovuar vlerat natyrore dhe kulturore të luginës së Vjosës.
“Lumi Vjosa tashmë është një atraksion turistik kombëtar dhe ndërkombëtar, i cili nëse do të marrë statusin e duhur të mbrojtjes, atë të parkut kombëtar, do të krijojë një markë të rëndësishme turistike. Kjo markë do të çojë shumë shpejt në rritjen e numrit të vizitorëve dhe kërkesës për shërbime lokale akomoduese dhe argëtuese” shtoi Olsi Nika nga EcoAlbania.
Informacion shtesë:
Ky event ishte mbyllja e një sërë aktivitetesh të realizuara në kuader të projektit “EYES on Vjosa” ku një prej tyre ishte trajnimi për udhërëfyes turistik, me fokus të rinjtë e luginës së Vjosës.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “EYES on Vjosa – Angazhimi i të rinjve në sektorin e eko-turizmit në luginën e Vjosës”, i cili synon të sjellë një pikpamje tjetër të zhvilimit të rajonit, siç ështe ajo e zhvillimit turistik, duke angazhuar të rinjtë. Projekti zbatohet nga EcoAlbania me mbështetjen financiare të UNDP.