++ Slogani “Vjosa Park Kombëtar Tani”, është një thirrje për të mbrojtur lumin e fundit të madh të egër të Evropës ++
Paris, Bruksel, Berlin, Tiranë – 22 Mars 2021 – Me rastin e Ditës Botërore të Ujit, sot, disa OJQ publikuan një seri fotografish me sloganin “Vjosa Park Kombëtar tani” duke shfaqur në plan të parë monumentet e mirënjohura në Paris, Berlin, Bruksel dhe Tiranë. Aktivistët që qëndrojnë pas aksionit vizual po synojnë vëmendjen e politikanëve evropianë dhe shqiptarë, duke i nxitur ata të deklarojnë Vjosën si Parkun e parë Kombëtar të një lumi të egër në Evropë. Ky vendim historik është i një rëndësie ndërkombëtare pasi do të mbronte 300 km gjatësi lumenjsh dhe përrenjsh, që strehojnë mbi 1,100 specie, shumë prej të cilave janë të kërcënuara.
Në Shtator 2020, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi synimin e tij për ta shpallur Vjosën një Park Kombëtar. Sidoqoftë, deri tani qeveria nuk ka ndërmarrë ndonjë hap të qartë drejt këtij synimi. Planet e qeverisë tregojnë përfshijnë vetëm mbrojtje minimale për Vjosën, duke lënë të hapur rrugën për ndërtimin e hidrocentraleve në të ardhmen pasi nuk garantojnë mbrojtje të mjaftueshme siç do të ishte në rastin e përcaktimit të Parkut Kombëtar.
Olsi Nika, drejtor i EcoAlbania, shprehet: “Ne kemi zgjedhur qëllimisht këto lokacione të trashëgimisë kulturore për këtë akson pasi ato janë të krahasueshme me mënyrën se si ne e vlerësojmë Vjosën në Shqipëri. Është e paimagjinueshme të shkatërrohen këto monumente në kryeqytetet e Evropës, prandaj pse duhet të mendonim ndryshe për lumin tonë të paprekur që ka qenë një pjesë e historisë sonë kulturore për mijëra vjet? Në prag të zgjedhjeve në Shqipëri, ne po kërkojmë që qeveria jonë të mbrojë Vjosën në menyrë përfundimtare dhe që politikanët kryesorë të BE-së të mbështesin këtë nismë.“
Një sondazh i zhvilluar së fundmi tregoi se 94% e shqiptarëve janë pro shpalljes së Vjosës si Park Kombëtar. Fushata “Vjosa Park Kombëtar tani” ka marrë gjithashtu mbështetje ndërkombëtare nga fituesit e Çmimit për të Drejtën e Jetesës të cilët kohët e fundit i kanë dërguar një letër të hapur drejtuesve politikë në Shqipëri dhe BE për të mbrojtur Vjosën. Fushatës i janë bashkuar edhe të tjerë personalitete të famshëm si Leonardo DiCaprio dhe Ellie Goulding.
Në 4 Mars, Komiteti i Punëve të Jashtme të BE-së votoi për të përfshirë Vjosën në Raportin e Progresit të Shqipërisë 2021. Sipas projekt-raportit, institucioni i BE-së i kërkon qeverisë shqiptare të ndalojë zhvillimin e hidrocentraleve përgjatë lumit Vjosa dhe të shpallë sa më shpejt Parkun Kombëtar të Vjosës, duke u shtrirë në të gjithë gjatësinë e lumit.”
Ulrich Eichelmann, CEO i Riverwatch, thotë: “Ekzistojnë tre arsye kryesore pse Vjosa duhet të shpallet Park Kombëtar. Së pari, shpallja e Parkut Kombëtar ofron mbrojtjen më të mirë për lumin dhe biodiversitetin e tij. Çdo gjë tjetër përveç këtij përcaktimi do ta mbante Vjosën të prekshme nga zhvillimet e ardhshme. Së dyti, do të krijonte të ardhura të konsiderueshme për zonën nga ekoturizmi. Dhe së fundmi, do të tërhiqte fonde ndërkombëtare për proceset e planifikimit dhe menaxhimit të parkut. Asnjë kategori tjetër e mbrojtjes nuk ofron këto përfitime.”
Në të gjithë Evropën, statusi i habitateve të ujërave të ëmbla po përkeqësohet më shpejt se çdo lloj habitati tjetër dhe janë ekosistemet më të kërcënuara në botë. Në Evropë, ka një rënie mesatare prej 93% në speciet e peshqve migrues të ujërave të ëmbla, pjesërisht për shkak të shkatërrimit të habitateve. Ky është një shans unik për t’i dhënë një vlerë të lartë kësaj zone të rëndësihme të biodiversitetit duke ruajtur këtë lumë të paprekur për të përfitime për njerëzit, klimën dhe planetin.
Annette Spangenberg, Drejtoreshë e Konservimit në EuroNatur, shton: “Kjo është një mundësi e pakrahasueshme për të dhënë një shembull brenda Evropës dhe botës. Ruajtja e këtij lumi, në tërësinë e tij, përcakton një standard të ri për atë që është e mundur në mbrojtjen e natyrës.”