Gjykata ndalon hidrocentralin në Vjosë

++Sukses për mbrojtjen e natyrës dhe komunitetin e prekur++

Tiranë, 3 Maj 2017. Sukses i madh për mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Evropë – Vjosës. Dje pasdite Gjykata Administrative shpalli vendimin kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit. Sipas argumentimit të gjykatës procedura për deklaratën mjedisore nëpërmjet Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) nuk ishte ndjekur në bazë të ligjit.

Qeveria Shqiptare i kishte dhënë lejen kompanisë turke për të ndërtuar një hidrocentral të madh në Vjosë. Organizatat për ruajtjen e mjedisit EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur, bashkë më 38 banorë të prekur hapën vitin e shkuar procesin gjyqësor kundër këtij hidrocentrali. Vladimir Meçi, avokati i çështjes thotë se: ”Ky është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e Vjosës dhe një shenjë premtuese për forcën e ligjit në vendin tonë.  Do të thotë se zëri i banorëve dhe OJF-ve po dëgjohet dhe kjo po vërtetohet nga gjykata”.

Gjatë shpalljes së vendimit në Gjykatën Administrative: trupi gjykues vendosi në favor të lumit të fundit të egër në Evropë dhe banorëve të prekur. (c) O. Hadushaj

Rasti i Vjosës ështe çështja e parë mjedisore në gjykatë në Shqipëri. Megjithatë Ministria e Mjedisit dhe Kompania Turke mund ta apelojnë këtë vendim brenda 15 ditëve dhe një vendim i Gjykatës së Apelit do të mund pritej deri në Shtator/Tetor 2017. “Jemi jashtëzakonisht të kënaqur nga ky vendim. Kjo është fitore për ne, të paktën për këtë fazë. Nëse do të jetë e nevojshme do ta çojmë këtë çeshtje deri në Gjykatën e Lartë për të shpëtuar lumin e fundit të egër në Evropë”, thotë Olsi Nika, nga EcoAlbania.

Bazat e padisë janë VNM-ja e papërshtatshme dhe mungesa e një konsultimi publik me komunitetin e prekur. Për projekte të tilla të dy këto procedura janë të detyrueshme në Shqipëri. Megjithatë në rastin e Poçemit ky ligj nuk është zbatuar. Gjatë hartimit të VNM-së së paraqitur nga kompania dhe miratuar nga Ministria e Mjedisit nuk janë ndërmarrë studime në terren. Ky raport nuk përmban të dhëna lidhur me prezencën e specieve apo ndikimeve të mundshme në ujërat nëntokësor dhe për më tepër 60 % e përmbajtjes është plagjaturë, ose është kopjuar nga raporte të tjerë të cilët nuk i referohen zonës së hidrocentralit.

Avokati Vladimir Meçi, intervistuar nga media pasi gjykata shpalli vendimin. Kjo është çështja e parë mjedisore në gjykatë në Shqipëri. (c) O. Hadushaj

Po ashtu dhe konsultimi me publikun ishte totalisht i dyshimtë: konsultimi në fakt është zhvilluar, por pa komunitetin e prekur të cilët thjeshtë nuk  janë ftuar. Shumica e pjesëmarrësve ishin punonjës të administratës publike të Fierit, i cili ndodhet 80 km nga zona e prekur.

Megjithatë ministritë përkatëse e kanë pranuar këtë aplikim duke lidhur kontratën për zhvillimin e projektit. Organizatat mjedisore dhe banorët e prekur hapën procesin gjyqësor kundër këtij projekti dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Sukses për mbrojtjen e mjedisit: mbretëresha e lumenjve të Evropës mbetet ende e lirë. (c) G. Kunz

Ky vendim tregon rëndësinë e luftimit të projekteve të kontestuara të hidrocentraleve në nivel ligjor – jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin e Ballkanit. Shumica e tyre – nga 2700 hidrocentralet e planifikuara në Ballkan kundërshtojnë legjislacionin kombëtar dhe evropian. Ne do të përgatitemi për nisma të mëtejshme ligjore kundër projekteve që ne i perceptojmë si të paligjshëm”, sinjalizon Gabriel Schwaderer, CEO i EuroNatur.

Informacion shtesë:

Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë. Ajo rrjedh e paprekur përmes grykave të thella, zallishteve dhe ishujve për rreth 270 km nga malet e Pindit në detin Adriatik. Qeveria shqiptare dhe Kryeministri Edi Rama i ka dhënë dritën jeshile kompanisë turke për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, i cili është planifikuar të ndërtohet në pjesën më të pasur ekologjikisht të lumit të Vjosës.

Fushata “Save the Blue Heart of Europe” synon të mbrojë lumenjtë me vlera më të mëdha natyrore në gadishullin e Ballkanit. Fushata koordinohet nga OJF-të ndërkombëtare Riverwatch dhe EuroNatur në bashkëpunim me organizatat partnere në vendet e Ballkanit, si EcoAlbania në Shqipëri.

Kontakte:

Olsi Nika |EcoAlbania | e-mail: [email protected]| Tel:+355 69 29 41 575

Ulrich Eichelmann | RiverWatch | e-mail: [email protected]

Vladimir Meçi  | Avokat | e-mail: [email protected]| Tel: +355 69 60 12 800

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *