Javën e ardhshme delegacioni i CTCF në bashkëpunim me EcoAlbania, do të vizitojë luginën e lumit Valbona në Shqipëri. Fillimisht qëllimi i këtij udhëtimi ishte për të marrë një përshtypje të përgjithshme të situatës në këtë pellg ujëmbledhës, dhe për të vlerësuar potencialin e tij për zbatimin e një projekti që kombinon ruajtjen e troftës dhe habitatit të saj natyror me krijimin e infrastrukturës për zhvillimin e eko-turizmit në këtë zonë. Në varësi të gjetjeve dhe rezultateve të kësaj vizite të parë do të përcaktohen edhe hapat e mëtejshëm, të cilët me shumë mundësi do të kenë si prioritet kryesor nevojën për të bërë kërkime shkencore në mënyrë që të përcaktohet specifikisht se me cilat specie të troftës do të fokusohemi gjatë vijimësisë së kësaj iniciative.
Vlen të theksohet se vetëm nëntë ekzemplarë të troftës kanë qenë të pranishëm me një shtrirje mjaft të madhe përgjatë Valbonës sipas një ekspedite kampionimi të realizuar nga Alain Crivelli në vitin 2005. Megjithatë këto të dhëna paraprake nuk janë të mjaftueshme për të marrë një tablo të qartë të gjithë strukturës gjenetike të troftës në këtë basen. Në këtë këndvështrim ne kemi pyetur veten, se kur të jemi atje, përveç se me siguri të tunduar nga ideja e hedhjes së një grepi për peshkim, pse të mos grumbullojmë edhe materialin e nevojshëm gjenetik për të sjellë të dhëna të reja për fillimin e një studimi të tillë? Dhe kështu do të do të bëjmë…
Meqenëse Prof. Crivelli nuk do të jetë në gjendje për t’iu bashkuar grupit këtë herë, Aleš Snoj, i përfshirë në këtë projekt si studiues gjenetik, na ka dhënë udhëzimet e nevojshme se si të grumbullojmë dhe ruajmë mostrat në mënyrën e duhur. Carlos Rodriquez, Ph.D. në Biologji Ujore, do të mbikëqyrë kampionimin dhe do ta dokumentojë atë. Sigurisht që ne kemi kënaqësinë që të kemi në ekip edhe Denik Ulqinin – Universiteti i Shkodrës, i cili është njohës i mirë i peshqve dhe metodave të studimit të tyre. Për ta përmbyllur të gjithë organikën e grupit të punës me iniciatorët e kësaj nisme: Alfonso Soria, Tjong Khoe, Olsi Nika, dhe René Beaumont. Të gjitha mostrat do të dërgohen në Departamentin e Shkencave Zoologjike të Universitetit të Lubjanës, Slloveni, për përcaktime të mëtejshme nga Aleš Snoj, dhe në mënyrë përfundimtare nga Prof. Alain Crivelli.
Së fundi por jo nga rëndësia: vendosi të bashkohet me ne në Shqipëri edhe Johannes Schöffmann. Për të ky është një rikthim nostalgjik në Shqipëri ku ai ka zhvilluar kërkime shkencore rreth njëzet vjet më parë. Prej dekadash Johannes ka kontribuar gjerësisht në njohjen e shpërndarjes së salmonidëve, filogjenezës, dhe ekologjisë së tyre përmes aventurave të panumërta të tij në shumë vende të botës, në përpjekje të përcaktimit të specieve të troftës native. Johannes është i njohur si “mjeshtër pa mastera”. Ai nuk ka studiuar kurrë në një universitet por arriti të bëhet një ekspert i rangut botëror në fushën e tij, duke zgjeruar në këtë mënyrë të kuptuarit e diversitetit të pabesueshëm të troftës.
Nga René Beaumont/ CTFC