21-24 maj 2024, Vlorë, Memaliaj, Këlcyrë, Dropull. Pas serisë së workshop-eve të zhvilluar në raundin e parë në vitin 2023, ekipi i ekspertëve dhe OJF-ve zbatuese të ESPID4Vjosa, vijoi me raundin e dytë me seminaret tematik me aktorët lokal të luginës së Vjosës. Këto takime shërbejnë si një kontribut i rëndësishëm për përmirësimin e menaxhimit të basenit të lumit Vjosë dhe komunikimin ndërmjet të gjithë palëve të përfshira.
Raundi i dytë i workshope-ve filloi me takimin në Vlorë, i cili bëri së bashku jo vetëm përfaqësues të institucioneve vendore dhe organizata të shoqërisë civile, por edhe banorë nga qytetet: Vlorë, Fier dhe Selenicë. Çfarë u prezantua gjatë këtij takimi, ishin problematikat që lidhen me çështjet: furnizimi me ujë të pijshëm & trajtimi i ujërave të zeza, përmbytjet dhe menaxhimi i riskut nga përmbytjet, hidroenergjia, ndryshimet klimatike, përdorimi i burimeve natyrore, zonat e mbrojtura dhe ekoturizmi në basenin e lumit Vjosa dhe u ndoqën edhe nga konsulta mbi masat e propozuara për zgjidhjen e këtyre problematikave.
Takimi i Vlorës u pasua nga Memaliaj, me një tjetër takim të rëndësishëm, ku u diskutua me përfaqësuesit e bashkive Memaliaj dhe Tepelenë, specialistët, përfaqësuesit e sektorit të agroturizmit, si dhe me komunitetin e zonës, për problematikat mbi 7 tematikat prioritare për menaxhimin e basenit të lumit Vjosa dhe zgjidhjet e ofruara në mënyrë që të sigurohet menaxhim i qëndrueshëm i kësaj pasurie të përbashkët natyrore. Në mbyllje pjesëmarrësit vijuan me vizitën në muzeun e qytetit të Memaliaj ku u njohën edhe me disa prej nismave të bashkisë Memaliaj për promovimin e turizmit në zonë.
Ndërsa turi i takimeve vijoi me workshop-in e Këlcyrës, ekipi i ESPID4Vjosa u prit nga aktorët lokal të zones ku një pjesë e madhe e pjesëmarrësve ishin gra dhe vajza, duke bërë edhe takimin me pjesëmarrje më të lartë të grave në të gjithë turin. Fokusi i workshopi-t të tretë i njejtë me takimet e mëparshme qëndroi në rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të basenit të Vjosës dhe sfidat që aktorët lokal hasin në përditshmëri, duke i dhënë hapësirën e nevojshme diskutimeve mbi zgjidhjet e propozuara nga ekspertët për këto sfida.
Në përmbyllje të raundit të dytë të workshop-eve basenin e Vjosës, ekipi i ESPID4Vjosa mbajti takimin e fundit në Dropull, ku u sollën në vëmendje problematikat në lidhje me menaxhimin e qëndrueshëm të basenit të lumit Vjosë dhe bashkëpunimin ndërkufitar, si një pikë kyçe e një pune të mirë në menaxhimin e një zone të mbrojtur të rëndësishme për Shqipërinë, Greqinë dhe për të gjithë Europën.
Interesi i shprehur për raundin e dytë të seminareve të zhvilluara përgjatë luginës së Vjosës në kuadër ESPID4Vjosa nga aktorët lokalë, ishte mjaft i lartë, veçanërisht kryetarët e bashkive apo prefektët e qarkut me vullnetin e madh për të siguruar mirë-menaxhimin e lumit Vjosa.
Projekti #ESPID4Vjosa është një projekt i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim – ADA (Austrian Development Agency), i cili zbatohet nga organizatat EuroNatur dhe EcoAlbania.