Nga Prof. A. Miho, Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.
Para disa javësh u diskutua në Tiranë një draft strategji rajonale për hidroenergji të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Ndër të tjera, një listë prej 44 projekte HEC-esh më të mëdha se 10 MW nga Shqipëria ishin përzgjedhur nga ekspertë të BE-së dhe renditur me një shkallë përparësie për t’u mbështetur për ndërtim në vitet në vazhdim. Është pozitive dhe me shumë rëndësi vendosja në krye dhe me përparësi për riparimin e HEC-eve ekzistuese. Por ajo që të shqetëson në këtë listë është përfshirja edhe e 17 projekteve në zonat e mbrojtura ekzistuese dhe atyre potenciale, të cilat kanë tipare natyrore për t’u shpallur të mbrojtura në të ardhmen. Kjo është në vazhdën edhe të vendimmarrjes së ngutur të qeverive shqiptare në dhjetëvjeçarin e fundit. Natyrisht, ky nuk është një mesazh miqësor për natyrën tonë! Nuk është këshilla e duhur për Qeverinë tonë! Si e tillë ajo nxit Qeverinë të vazhdojë me veprimtaritë e dhëna me koncesion tashmë brenda zonave të mbrojtura, jo vetëm HEC-et, por edhe resortet turistike e ndonjë veprimtari tjetër fitimprurëse të kësaj kategorie. Kjo u kundërshtua fort nga ekspertë shqiptarë, por dhe të huaj pjesëmarrës, si RiverWatch Austri, EuroNatur Gjermani, WWF Adria, etj.
Koncepti i zhvillimit të qëndrueshëm dhe i mbrojtjes së pasurive natyrore është shpesh i përfolur nëpër foltore, por jo realisht i zbatuar në praktikë. Për rrjedhojë edhe arritjet për strategjinë mbi hidroenergjinë e qëndrueshme janë zhgënjyese! Në se merren në shqyrtim edhe ndërtimet në zonat e mbrojtura, atëherë ku zbatohet parimi i qëndrueshmërisë këtu? Ato janë një shembull shumë i mirë i asaj që ne në Shqipëri e quajmë ‘dridhe Like!’, ose në Evropë njihet si sjellje ku “njëra dorë nuk e di se çfarë po bën dora tjetër!”, shkruar bukur nga nga Claue-Peter Hutter në ‘Eko-twisters: Dossier on the European Environment’ (1995). Për fat të keq, një sjellje e tillë me ‘dy faqe’ haset rëndom në Shqipëri, sidomos në këto vite tranzicioni. Më lejoni të shpjegohem:
Si e tillë, strategjia e paraqitur nuk është aspak në përputhje me raportet e BE-së për Shqipërinë, në të cilët është theksuar vazhdimisht që të shpëtohen nga projektet e HEC-eve rrjedhat e paprekura lumore, veçanërisht në ZM-të, e përsëritur kjo në mënyrë të veçantë në prill 2015, prill 2016, nëntor 2016 dhe shkurt 2017. Në shkurtin e kaluar, Parlamenti Evropian kritikoi në mënyrë shumë të qartë Qeverinë shqiptare në lidhje me politikat e saj të HEC-eve, duke kërkuar shpalljen e Parkut Kombëtar për lumin e Vjosës, si dhe ndalimin e projekteve të HEC-eve në të. “Është e vërtetë që Shqipëria ka nevojë për energji dhe për më shumë zhvillim, por kjo nuk duhet të bëhet duke shkatërruar natyrën”, u tha gazetarëve shqiptarë në Bruksel në prill 2017 zëvendëspresidentja e PE-së, zj. U. Lunacek.
Të hartosh një strategji të mirë dhe të qëndrueshme nuk është e nevojshme një cilësi e lartë ekspertësh, ose një metodologji shumë e ndërlikuar apo shumë e madhe të hollash! Por, diçka shumë më e thjeshtë – një frymë e mirë, një vizion i qartë – në se pranohet realisht ose jo koncepti i qëndrueshmërisë, dhe më konkretisht përdorimi i qëndrueshëm, dhe tepër i matur i burimeve tona natyrore. Ky është parim bazë për zhvillimin sot! Është vërtet një nevojë themelore dhe urgjente edhe për Shqipërinë! Kjo është arsyeja pse e kemi sanksionuar atë edhe me ligje dhe rregulla të posaçme, duke filluar nga neni 59 i Kushtetutës. Ne ua mësojmë atë edhe studentëve tanë, ekspertëve të ardhshëm, madje edhe nxënësve të shkollës. Por kjo nuk ka lindur dhe është përpunuar në teori nga ne këtu, ekspertë të një vendi në zhvillim, por nga përvoja e vendeve më të zhvilluara (madje edhe nga pësimet e tyre nga zbatimi i praktikave të paqëndrueshme!). Dhe kjo më shumë buron sot nga direktivat e BE-së, zbatimi i të cilave quhen shpesh si “detyra shtëpie për Shqipërinë”.
Po këtu mbështeten përpjekjet tona të përhershme për mbrojtjen e natyrës, mbrojtjen e pyjeve, bimëve mjekësore, për peshkimin dhe gjuetinë, për përdorimin e tokës dhe urbanizimin, për ndotjen, për zonat e mbrojtura etj. Për të gjitha çështjet e përmendura ne kemi probleme të mëdha në Shqipëri, të rënduara sidomos gjatë 20-30 viteve të fundit. Pse këto probleme? Nuk ka dyshim sepse shumica prej nesh nuk e pranojnë qëndrueshmërinë, sidomos kur vjen fjala në vendimmarrje, por dëshirojmë të zhvillohemi sa më parë dhe me çdo kusht! Shpesh kjo justifikohet me mendësinë për ‘fitimin e kohës së humbur! Kjo është arsyeja pse në pak dhjetëvjeçarë të fundit ne kemi shfrytëzuar tejmase, duke i çuar pothuajse në fund – pyjet, bimët mjekësore, kafshët e egra, peshqit etj. Kjo është arsyeja edhe e shkarjes në rrugë qorre, të errëta dhe mjaft të rrezikshme të piramidave dhe kanabisit! Për shkak të varfërisë së skajshme historike dhe mungesës së përvojës, nga burojnë dhe bindjet dritëshkurtra në vendimmarrje të shfrenuar gjatë gjithë kësaj periudhe, ekonomia jonë sot po vazhdon të mbështetet thuajse te shfrytëzimi i pasurive natyrore dhe biologjike të papërpunuara. Vihet re zhvillim i cunguar i sektorëve të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë (bujqësi, industri, turizëm etj.).
Pas shkatërrimit të pyjeve, pushtimit të zonës bregdetare (urbanizim të skajshëm), pasuria e fundit natyrore e pa shfrytëzuar mbeten rrjedhat lumore, shumë prej tyre të paprekura dhe një pjesë brenda zonave të mbrojtura. Këto zona janë pothuajse të lira, pa pronësi, ku i vetmi pronar është pushteti qendror apo edhe ai vendor. Për të fituar një leje ndërtimore në këto prona nevojiten vetëm pak tarifa modeste për të kaluar procedurat burokratike! Në këtë kuptim, burimet tona natyrore janë ‘jetime’, çdo ditë të ekspozuara ndaj rrezikut prej shfrytëzimit të etur! Kjo është arsyeja që qeveritë e fundit gjatë periudhës 2005-2017 kanë dhënë leje për të ndërtuar më shumë se 500 HEC-e, të vegjël dhe të mëdhenj të përhapur kudo në Shqipëri, një pjesë e mirë e tyre brenda ZM-ve apo ZM-ve potenciale.
Sigurisht që ndërtimi brenda ZM-ve nuk mund të konsiderohet miqësor me natyrën, prandaj nuk mund të jetë i qëndrueshëm në parim. Pse i mbrojmë PA-të atëherë? Nga cilat veprimtari të dëmshme, nëse jo nga veprimtaritë ndërtimore të njeriut? Më lejoni të përmend disa ndërhyrje jo miqësore që lidhen me HEC-et: shqetësim i ekosistemeve lumorë (nga rrugët e reja, digat, tunelet, kanalet, lëndët plasëse, linjat e transmetimit etj.); gërryerje e shpatit (shpatet bregore, shpatet e brishta më sipër etj.); varfërim biodiversiteti për llojet dhe habitatet e tyre (si ato ujore dhe ato tokësore pranë); ndryshime të biokorridorëve (për invertebrorët, peshqit dhe vertebrorët e tjerë ujorë); deri dhe në ashpërsime mikroklimatike të ekosistemit lumor (në evapotranspirim-lagështi, në temperaturën e ajrit dhe të ujit etj.).
Të kuptohemi që ne nuk jemi kundër ndërtimit të HEC-eve në mënyrë të prerë! Por ndërtimi i tyre brenda zonave të mbrojtura dhe brenda zonave potencialisht me vlera natyrore nuk është zgjidhje e mençur. Kjo është arsyeja pse mendimi profesional në vend dhe në mbarë botën kundërshton gjithmonë vendim-marrje të tilla të nxituara! Jo se i përket kategorisë së “njerëzve të çmendur” që duan të rrethohen vetëm nga vende natyrore të virgjëra dhe të pranojnë varfërinë, por ndoshta se i përkasin pjesës së arsimuar të shoqërisë me ide më të mira për zhvillimin. Kjo përforcohet edhe nga përvoja të gabuara në vendet e zhvilluara; në këtë mënyrë, për shkak të vlerësimeve mjedisore të nxituara në të kaluarën, inxhinieria e lumenjve në vendet e industrializuara ka rezultuar në pasoja mjedisore negative, me prirje afatgjata, që kërkojnë masa të shtrenjta restaurimi.
Në HEC-et e mëdha të planifikuara brenda ZM-ve ekzistuese ose atyre potenciale futen HEC-et e Valbonës, Currajt, Shalës, Cemit, një pjesë e mirë brenda PK të Valbonës dhe të Thethit, ose të gjithë brenda PK të Alpeve (planifikuar të shpallet); bëjnë pjesë HEC-et e Qarrishtës, brenda PK të Shebenik-Jabllanicës, si dhe HEC-et mbi lumin Vjosë (Kalivaç dhe Poçem). Kjo listë me këto 17 HEC-e nuk mund të jetë aspak “listë e gjelbër” për Qeverinë Shqiptare si pretendon strategjia, por një listë “e kuqe”, një listë “mos prek!”. Vlen të thuhet se krahas raporteve të PE-së të përmendur më sipër, ndërtimi i HEC-eve në luginën e Valbonës është kundërshtuar shumë, deri dhe në gjykatë, po në këtë mënyrë edhe çështja e Vjosës. Në vitin e fundit mbi 300 shkencëtarë vendas dhe nga mbarë bota kanë kundërshtuar ndërtimin e digave në Vjosë, i fundit lumë me rrjedhje të lirë në gjithë Evropën (duke përjashtuar Rusinë). Nuk mundet kurrsesi që vendimmarrja të rrijë e shurdhër edhe ndaj gjithë këtyre ngacmimeve. Në fund të fundit të gjitha synojnë në një qëllim të përbashkët – zhvillimin e qëndrueshëm të vendit!
Vlen të diskutohet se kapaciteti prodhues i përgjithshëm i këtyre 17 HEC-eve është rreth 535 MW. Kjo e gjitha është rreth 24% e kapacitetit të përgjithshëm prodhues (prej rreth 2,200 MW) që do të mund të prodhojë Shqipëria nëse do të ndërtohen të gjithë HEC-et e dhënë tashmë në koncesion. Por ndalimi i ndërtimit të tyre është çmimi që shoqëria jonë sot duhet të paguajë për qëndrueshmërinë – të balancojë me sukses zhvillimin shoqëror me atë ekonomik, dhe së bashku edhe me shfrytëzimin me nikoqirllëk të pasurive natyrore në vend – si kërkohet për një zhvillim realisht të qëndrueshëm.
Zhvillimi i qëndrueshëm është një parim shumë i bukur, dhe për hir të së vërtetës mjaft i nevojshëm në ditët e sotme, por jo pa kosto! Nëse të gjithë e pranojmë atë, nga BE-ja deri në Shqipëri, të gjithë duhet të mendojmë për gjetjen e burimeve të tjera energjetike për të plotësuar nevojat! Dihet mirë se mbi 2100 kwh/m2/vit energji na vjen nga dielli në Shqipëri – kjo do të thotë më shumë se 300 ditë me diell në një vit. Pse të mos shihet edhe mundësia për investime për shfrytëzimin e energjisë diellore? TAP-i do të arrijë së shpejti në Shqipëri, ndërkohë kur TEC-i i Vlorës me kapacitet të përgjithshëm prej 100 MW, i ndërtuar me shumë bujë vite më parë (130 milionë US$) – nuk është në përdorim që nga fillimi i vendosjes në punë (viti 2010)! Pse të mos shihet edhe kjo mundësi?! Pse të mos e shihen edhe burime të tjera alternative të energjisë? Era, biogazi etj.?! Qëndrueshmëria është më jetëgjatë dhe mbështetet edhe më mirë kur është në shumë burime!
Por edhe nëse mundësitë nuk janë, apo nuk gjenden menjëherë … për të përmbushur parimin e shfrytëzimit të qëndrueshëm që të gjithë e duam me fjalë, pse të mos kufizojmë përdorimin, të shmangim shpërdorimet?! Kjo është e lidhur ngushtë me përgjegjësinë tonë për ripërtëritjen, ruajtjen dhe përmirësimin e pasurive tona edhe për përdorim jo vetëm sot, por dhe nga brezat e ardhshëm. Në fjalë më të thjeshta, zhvillimi i qëndrueshëm nënkupton që ‘pjatën plot’ që të vihet përpara të mos ta mbarosh të gjithën, por një pjesë ta ruash edhe për nesër, për vete apo për të tjerët që vijnë pas!