Asprangeloi, bashkia Zagori, Greqi, 04.06.2024. Vizita e tretë dy-palëshe Shqipëri-Greqi u mbajt këtë herë në Bashkinë Zagori, Asprangeloi në Greqi, ku pati interes mjaft të lartë për pjesëmarrje dhe shkëmbim nga institucionet lokale të të dyja vendeve. Përfaqësuesit nga institucionet lokale të të dyja shteteve, përfaqësuesit u bënë pjesë e një diskutimi të thellë mbi progresin e projektit ESPID4Vjosa dhe problemet dhe shqetësimet kryesore me të cilat haset lumi Vjosa/Aoos si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Greqia.
Vizitat e mëparshme kanë qënë hapa të rëndësishëm në ndërtimin e një ure bashkëpunimi efektiv dhe formal mes institucioneve vendim-marrëse të të dy vendeve. Gjatë vizitës së dytë, palët identifikuan fushat kyçe të shqetësimit, duke përfshirë këtu menaxhimin e burimeve ujore, cilësinë e ujit, zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë, dhe ndikimin e hidrocentraleve duke vendosur një bazë për bashkëpunim të mëtejshëm dhe duke kontribuar në hartimin e një Memorandumi Mirëkuptimi ndër-institucional midis institucioneve homologe dhe fqinje në nivel lokal të të dy vendeve.
“Ne e kemi parë lumin Vjosa si një mundësi të madhe të ruajtjes së biodiversitetit, të florës dhe të faunës por edhe si shans dhe një mundësi të madhe për të krijuar një ekonomi të shëndetshme lokale, për të krijuar një Park Natyror të mbrojtur sipas standarteve Evropiane dhe në fund të fundit për të krijuar një traditë të re të gjithë komunitetit për zhvillimin e agroturizmit dhe për zhvillimin e gjithë komunitetit që banon në këtë zone”, u shpreh Odise Kote, Prefekti i Qarkut Gjirokastër.
“Arsyeja e këtij takimi dhe bashkëpunimi është se të gjithë së bashku duhet të gjejmë mënyra më të mira për menaxhimin e lumit Vjosa. Ky park nuk duhet te jetë vetëm Park Kombëtar por Ndërkombëtar, ku dy shtete do të kenë fatin që të kenë një nga pasuritë më të rëndësishme si lumi i vetëm i egër i Evropës me benefitet e saj dhe me punën që ne duhet të bëjmë në shërbim të këtij qëllimi.”, shtoi ai.
Për të adresuar sfidat e përmendura, në vizitën e tretë të shkëmbimit, u sugjerua një Plan Veprimi i përbashkët që do të synojë menaxhimin efektiv të burimeve ujore, krijimin e një sistemi të dhënash të përbashkëta, dhe përfshirjen e palëve të interesuara në procesin e vendimmarrjes, në përputhje me Direktivën Kuadër të Ujit. Po ashtu, u diskutuan marrëveshjet e bashkëpunimit si një mekanizëm efikas për angazhimin e palëve të interesuara Greko-Shqiptare për zbatimin e Planit të Veprimit, me tre tipologji të marrëveshjeve: midis bashkive kufitare, prefekturave përkatëse, dhe ndërmjet Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Administratës së Decentralizuar.
“Mbrojtja e plotë e lumit Aos-Vjosë do të sigurohet duke përmirësuar zonën e mbrojtur në një Park Kombëtar nëpërmjet zgjerimit të Parkut Kombëtar të Pindosit Verior drejt kufirit Greqi-Shqipëri. Kështu baseni i lumit Aoos-Vjosë do të përfshihet në një regjim të vetëm mbrojtjeje dhe më pas të bashkohet me Parkun fqinj Kombëtar për të krijuar Parkun e Parë Kombëtar Ndërkufitar të lumit të Egër në Evropë Aoos – Vjosë”, tha Kryebashkiaku i Zagorit z. George Soukoubelos.
Bashkëpunimi 2 palësh Shqipëri – Greqi është një nga fushat me rëndësi të ESPID4Vjosa, ku synohet të trajtohet aspekti ndërkufitar në nivel lokal për të forcuar bashkëpunimin në menaxhimin efektiv dhe të qëndrueshëm të Basenit Ujor Vjosë-Aoos. Tre vizitat e mbajtura kanë treguar se është e nevojshme që kjo iniciativë të vijohet më tej.
“Në fund të këtij muaji së bashku me partnerët tanë dhe organizatat e tjera ne do të organizojme javën shkencore midis Shqiperisë dhe Greqisë ku fokusi kryesor do të jetë lumi Sarandapor që është një degë që gëzon një status të mbrojtjes së natyrës. Misioni i përbashkët është që Parku Kombëtar i Vjosës të mos jetë vetëm në pjesën Shqiptare por të jetë lumi i parë që do gëzoj statusin e Parkut Kombëtar – Ndërkufitar. Kjo pa dyshim nuk mund të arrihet pa ndihmën e njohurive dhe pa ndihmën e shkencës”, tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.