Tiranë, 20 Nëntor 2023. Përfaqësues nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë, Agjencia për Menaxhimin e Burimeve Ujore, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, EuroNatur dhe EcoAlbania, u mblodhen në ambientet e COD (Center for Openness and Dialogue, Zyra e Kryeministrit), në një tryezë të përbashkët diskutimi mbi menaxhimin e integruar të basenit ujor Vjosë. Përfaqësusit e insitutucioneve dhe ekpertët prezantuan dhe shkëmbyen informacione me qëllim koordinimin e aktiviteteve nga institucionet përgjegjëse për ruajtien, monitorimin, menaxhimin e burimeve ujore, zhvillimin e bujqësisë, pyjeve, turizmit në basenin Ujor Vjosë.
Fokusi kryesor i diskutimeve u përqëndrua në procesin e hartimit dhe zhvillimit e Planit të Menaxhimit të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa si dhe Planit të Integruar të Menaxhimit të Basenit të lumit Vjosë, në përputhje me udhëzimet e Direktivës Kuadër të Ujit. Pjesëmarrësit ranë dakord se këto plane duhet të adresojnë dhe të trajtojnë të gjitha aspektet e nevojshme që lidhen me menaxhimin si: zgjidhjet e bazuara në natyrë për të parandaluar ndikimin e përmbytjeve dhe erozionit në vend të ndërhyrjeve inxhinierike, humbja e tokës, nxjerrja e ujit për të mbështetur ujitjen dhe sigurimin e ujit të pijshëm për komunitetin, lista e aktiviteteve të lejueshme dhe të ndaluara bazuar në studime shkencore etj.
Për më tepër, u theksua që rolet e institucioneve të përcaktohen qartë dhe të kenë bashkëpunim midis tyre, t’i pranojnë problemet kolektivisht dhe të punojnë drejt gjetjes së zgjidhjeve të koordinuara për të mbrojtur integritetin mjedisor dhe biodiversitetin e Vjosës.
Si përfundim, nga diskutimet u vlerësua me rëndësi:
- Harmonizimi i dy proceseve të hartimit të planit të menaxhimit të basenit ujor Vjosë dhe të Parkut Kombëtar të lumit Vjosa.
- Nevoja për përfshirjen e të gjithë institucioneve në fazën e planifikimit.
- Planifikimi i ndërhyrjeve parandaluese/përmirësuese me bazë natyrën në menaxhimin e riskut nga përmbytjet.
- Zbatimi i një qasje sa më gjithëpërfshirëse në fazën e planifikimit duke angazhuar të gjitha palët e interestit dhe duke mundësuar një vendimmarrje sa më të informuar.
Projekti ESPID4Vjosa po punon për një raport teknik, për të ofruar udhëzime shtesë për autoritetet në lidhje me tema të ndryshme përkatëse të përshtatura me nevojat e Planit të Menaxhimit të Basenit Ujor Vjosë dhe AMBU-së. Më tej do të ofrojë sugjerime për shqetësimet kryesore (pjesërisht të ngritura edhe në këtë takim), informacion mbi kërkesat dhe idetë e BE-së në përputhje me legjislacionin ekzistues shqiptar. Për më tepër, do të krijohet një udhëzues për pjesëmarrjen e publikut për të ofruar përvoja të dorës së parë dhe shembuj të praktikave të mira për autoritetet.
—
Projekti ESPID 4 Vjosa është një projekt i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim – ADA, i cili zbatohet nga organizatat Euronatur dhe EcoAlbania. Projekti synon të lehtësoje ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes aktorëve te vendim-marrjes, shoqërisë civile dhe shkencës në proceset vendim-marrëse të qeverisjes dhe menaxhimit të mire në sektorin e ujit, në basenin e lumit Vjosa.