Fushata “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” e nisur nga OJQ-të ndërkombëtare Riverwatch dhe Euronatur tashmë do të implementohet në Shqipëri nga organizata partnere EcoAlbania. Qëllimi i fushatës është të mbrojë lumenjtë me potenciale të mëdha natyrore që shtrihen në Evropën Juglindore, nga shkatërrimi përmes zhvillimit të pakontrolluar të projekteve të hidroenergjisë. Fushata fokusohet kryesisht në ruajtjen e lumenjve të Ballkanit ku ndër to bën pjesë dhe lumi Vjosa.
Vjosa është një nga lumenjtë e fundit, “të egër” të Evropës. Në 80 km e para të rrjedhës së saj, në pjesën Greke lumi quhet Aoόs, ndërsa me hyrjen në territorin shqiptar ai ndryshon emër dhe quhet Vjosë. Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa rrjedh e pandikuar në mënyrë të natyrshme, e karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme. Në disa zona shtrati i lumit arrin një gjerësi më shumë se 2 km. Së bashku me degët e saj, Vjosa ofron një ekosistem dinamik, pothuajse natyror. Ky ekosistem unik në kontinent, edhe pse i panjohur, përfaqëson një trashëgimi të vërtetë natyrore Evropiane.
Në lumin Vjosa janë planifikuar tetë projekte hidroenergjetike dhe shumë të tjera në degët e saj. Ndërtimi i këtyre digave apo qoftë edhe njërës prej tyre do të shkatërronte në mënyrë të pakthyeshme të gjithë këtë ekosistem lumor me vlera të pakrahasueshme. Ulrich Eichelmann, koordinatori i Fushatës së Lumenjve të Ballkanit “Të shpëtojmë Zëmrën Blu të Evropës” nga organizata Riverwatch thotë: “Për shumë shqiptarë Vjosa mund të duket thjesht një lumë i zakonshëm por në perspektivën ndërkombëtare Vjosa është diçka unike. Madje edhe disa ekspertë të njohur botërorë të ujërave të ëmbla ende nuk e kanë idenë se në Evropë ekziston një lumë i tillë. Ky është si zbulimi i një specieje që mendohej e zhdukur deri më tani”.
Nga: Besjana Guri/ EcoAlbania