Shkrut – Prill 2020. 15 të rinj të moshave 18-24 vjeç nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi u bënë pjesë e 3 trajnimeve online në fazën e parë të projektit “Dialogu ndërkufitar – Bashkëpunimi Rinor për Alpet Dinarike Ndërkufitare”. Organizatat partnere EcoAlbania në Shqipëri, ERA në Kosovë dhe Green Home në Malin e Zi, synojnë të ndërgjegjësojnë dhe nxisin të rinjtë e zonës për bashkepunim dhe shkëmbim eksperiencash në mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e zonës ndërkufitare si një park i vetëm.
Ekipi i ekspertëve informuan të rinjtë, nga zona ndërkufitare e Alpeve Dinarike mbi çështjet e turizmit, mjedisit dhe kulturës së zonës ndërkufitare. Në sesionin e parë, ata morën njohuri dhe shkëmbyen informacion në lidhje me turizmin malor, trendet e tij dhe kërkesat e turistëve, ndikimin e turizmit në mjedis, vlerat e biodiversitetit, asetet natyrore, trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore etj. Sesioni i dytë u fokusua në sfidat e ruajtjes në zonën e Alpeve Dinarike Ndërkufitare dhe sa janë arritur këto, u diskutua mbi zhvillimin ekonomik të zonës, konceptin e shërbimeve të ekosistemit si një bazë për mbijetesën e njeriut, situatën aktuale të burimeve natyrore në raport me zhvillimin dhe konceptin e ekonomisë blu. Ndërsa në sesionin e fundit të rinjtë u inkurajuan drejt krijimit të grupeve të qëndrueshme me të rinjtë për shkëmbimin e eksperiencave dhe sfidave që ato hasin në zonën ku banojnë.
Ajo çka u vu re gjatë këtyre trajnimeve ishte interesimi i lartë i të rinjve për të mësuar më tepër rreth Alpeve Dinarike Ndërkufitare dhe hartimi i rekomandimeve nga ana e tyre, mbi mundësitë për bashkëpunimin e mëtejshëm dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.
Trajnimet online do të pasohen nga shkolla verore, e cila do të organizohet gjatë sezonit veror me pjesëmarrjen e të rinjve nga 3 vendet fqinje (2 ditë në Shqipëri, 3 ditë në Malin e Zi dhe 4 ditë në Kosovë).
Informacion i përgjithshëm:
Projekti “Dialogu ndërkufitar – “Bashkëpunimi Rinor për Alpet Dinarike Ndërkufitare” synon krijimin e urave të bashkëpunimit midis të rinjve të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Përmes këtij projekti synojmë të ndryshojmë mënyrën se si të rinjtë i interpretojnë sfidat në zonën e Bjeshkëve të Namuna / Prokletije / Alpet Shqiptare. EcoAlbania në partneritet me OJF-të ERA nga Kosova dhe Green Home nga Mali i Zi, do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh me të rinj të moshës 18 – 24 vjeç.