++ Dy HEC-e të financuar nga Bankat Evropiane po shkaktojnë dëme të konsiderueshme në natyrë dhe në jetesën e banorëve – janë këto gjetjet e një studimi të ri të publikuar sot nga rrjeti CEE Bankwatch ++
Pragë, Tiranë, 20 Dhjetor, 2017. Nga vizitat në terren në hidrocentralet e Rrapunit dhe Tërnovës, të zhvilluara në fillim të Qershorit 2017 është konstatuar një mungesë pothuajse e plotë e zbatimit të monitorimit nga ana e autoriteteve shqiptare. Të dy këto projekte janë financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në të dyja rastet dëmtimet në mjedis janë shoqëruar edhe nga pakësimi i ujit të përdorshëm për banorët e zonave ku këto HEC-e janë ndërtuar. Infrastruktura mbështetëse si rrugët e aksesit kanë shkaktuar një dëmtim të mëtejshëm të këtyre mjediseve natyrore.
Veçanërisht HEC-et “Rrapuni 1 & 2”, në afërsi të qytetit të Librazhdit, nuk lëshojnë në shtratin e lumit sasinë e ujit që do të ishte e mjaftueshme për të mbështetur funksionet ekologjike të lumit si dhe funksionimin normal të mullirit tradicional që shërben për bluarjen e drithërave në fshatin Togëz. Ky fakt ndikon edhe në agravimin e një problemi tjetër të krijuar disa qindra metra më poshtë nga operimi i HEC-eve “Rrapuni 3 & 4” në pronësi të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, ku në fakt në shtratin e lumit nuk lihet të rrjedhë asnjë pikë ujë.
“Rrapuni 1 & 2” ndodhet në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. E gjithë kjo zonë është nën një presion të jashtëzakonshëm nga ndërtimi i HEC-eve ku janë dhënë 45 konçesione për ndërtimin e HEC-eve brenda Parkut Kombëtar.
Në të njëjtën kohë nga operimi i HEC-it të Tërnovës, mbi qytetin e Bulqizës, janë duke u shkatërruar ekosistemet natyrore që lidhen me Liqenin e Zi, në Majën e Gjatë, i shpallur si Monument Natyre. Ndërtimi i këtij HEC-i përveç të tjerash konsiston në ndërtimin e 23 km kanale devijimi dhe rreth 30 km rrugë aksesi. Projekti po shkakton një erozion masiv përgjatë linjës së tubacionit të devijimit që çon ujin nga Liqeni i Zi drejt turbinave. Nga ana tjetër gjatë vizitës që Bankwatch zhvilloi në Qershor 2017, erozioni ka qenë i lartë edhe përgjatë kanaleve të devijimit që furnizojnë me ujë vetë Liqenin e Zi duke transportuar së bashku me ujin edhe një sasi të konsiderueshme të sedimenteve drejt këtij liqeni.
Olsi Nika nga EcoAlbania dhe njëkohësisht koordinatori për Shqipërinë i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” thotë: “Këto janë vetëm disa nga rastet që dëshmojnë mangësitë e agjencive ligj-zbatuese në Shqipëri në fushën e ruajtjes së natyrës dhe monitorimit të kritereve të vendosura në lejet mjedisore për projektet e HEC-eve. Aplikimi i masave zbutëse nuk merret në konsideratë nga kompanitë duke qenë se mungon presioni nga organet shtetërore. Për këtë arsye mënyra e operimit duke dëmtuar mjedisin është shndërruar në një gjë normale sa i përket hidrocentraleve”.
BERZH-i i ka pranuar gjetjet e publikuara nga Bankwatch. Për këtë arsye agjentët këshillues të Bankës kanë vizituar vetë këto HEC-e pothuajse një muaj më vonë, në Korrik 2017 dhe përveç të tjerash arritën në përfundimin se HEC-i “Rrapuni 1 & 2” duhet të lëshojë në shtratin e lumit një sasi uji jo më pak se 300 l/s, ndërkohë që sa i përket HEC-it të Tërnovës, kompania duhet të ripyllëzojë dhe të rehabilitojë zonën e eroduar si edhe të ndërtojë struktura të posaçme kurthesh për sedimentet në mënyrë që të shmangë dëmtimin e mëtejshëm të Liqenit të Zi.
Është ende e paqartë nëse këto angazhime do të përmbushen, pasi publikut i është mohuar aksesi në Planet e Veprimit të aprovuara nga kompanitë kliente të BERZH-it.
“BERZH e ka ndërmarrë hapin e parë dhe ka pranuar problemet me investimet e saj. Tani ajo duhet të bëjë publike të gjitha planet e rehabilitimit dhe të përmbushë atë për të cilën është e angazhuar: zbatimin e masave për zbutjen e ndikimeve të dëmshme të hidrocentraleve të Rrapunit dhe Tërnovës”, thotë Igor Vejnovic, oficer i politikave të hidroenergjisë pranë Bankwatch.
Ky studim është ndërmarrë në kuadër të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” dhe mund të gjendet i plotë në LINKUN:
Informacion i përgjithshëm:
Rreth 2800 hidrocentrale janë aktualisht të planifikuara nga Sllovenia në Shqipëri. Si kundërpërgjigje e kësaj vale shkatërrimi të lumenjve, EuroNatur dhe RiverWatch kanë ndërmarrë fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, në partneritet me disa OJF në vendet respektive të Ballkanit si EcoAlbania në Shqipëri.