Deklaratë e përbashkët për shtyp nga EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur
Tiranë, Vjenë, Radolfzell – 1 Korrik 2025 – Dy vite pas shpalljes së tij historike në mars 2023 si Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë, lumi Vjosa po përballet vazhdimisht me presione nga industritë nxjerrëse, zgjerimi i infrastrukturës dhe zhvillimi i pakontrolluar, duke vënë në rrezik integritetin ekologjik të parkut dhe vlerën e tij globale për ruajtjen e natyrës. Nëse qeveria shqiptare vazhdon të injorojë këto presione, Vjosa rrezikon të shndërrohet në një “park letre” – i mbrojtur në ligj, por jo në realitet.
Njëkohësisht, qeveria shqiptare po ndjek procedurat për shpalljen e Luginës së Vjosës si Rezervat e Biosferës UNESCO. Por, nëse kërcënimet serioze të përmendura më poshtë nuk adresohen dhe zgjidhen, përfshirja në listën e Rezervave të Biosferës do të mbetet thjesht një status simbolik, ndërkohë që mbrojtja reale në terren do të mungojë.
Një raport i ri, “Hartëzimi i Presioneve në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa”, dokumenton këto kërcënime në detaje. Vlerësimi, i dorëzuar pranë Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në mars 2025, nënvizon nevojën urgjente për zbatim të ligjit dhe ndërhyrje politike. Kërcënimet kryesore janë përmbledhur në një fletë-informimi të posaçëm.
Kërcënimet Kryesore të Identifikuara
- Nxjerrja e naftës – Aktivitetet e pambikëqyrura të nxjerrjes së naftës kërcënojnë biodiversitetin dhe cilësinë e ujit në Vjosë. Janë dokumentuar rrjedhje të shpeshta, të cilat ndotin ujin dhe dëmtojnë ekosistemet ujore. Megjithëse të ndaluara në Planin e Menaxhimit të Parkut Kombëtar, rrjedhjet vazhdojnë të ndodhin pa kontroll përgjatë brigjeve të lumit.
- Nxjerrja dhe përpunimi i bitumit – Minierat e bitumit në pjesën e mesme të lumit shkaktojnë dëme serioze në mjedis. Hedhja e paligjshme e mbetjeve të minierave vazhdon të rrezikojë habitatet dhe sistemet ujore. Ndërkohë që janë të ndaluara me ligj, mungesa e zbatimit efikas i lejon këto praktika të vazhdojnë.
- Shfrytëzimi i ujit – Shfrytëzimi i tepruar i ujit për bujqësi, industri dhe turizëm po redukton rrjedhën e lumit, duke ndikuar në ekosistemet ujore dhe komunitetet në rrjedhën e poshtme. Me ndryshimet klimatike që parashikojnë një ulje prej 30% të sasisë së ujit në Vjosë deri në vitin 2050, shfrytëzimi i pakontrolluar përbën një krcënim akoma më të madh.
- Nxjerrja e zhavorrit – Heqja e vazhdueshme e zhavorrit dëmton hidrologjinë e lumit, shkatërron vendet e shumimit të peshqve dhe destabilizon shtratin e lumit.
- Mbetjet urbane dhe ujërat e zeza – Menaxhimi i dobët i mbetjeve dhe i ujërave të ndotura ndot lumin, duke rrezikuar faunën dhe shëndetin publik. Venddepozitimet ndodhen shpesh shumë afër lumit, duke shtuar rrezikun e ndotjes gjatë përmbytjeve. Zonat rurale kontribuojnë ndjeshëm në ndotjen plastike, ndërsa ujërat e zeza të patrajtuara shkarkohen direkt në Vjosë.
Përveç këtyre pesë kërcënimeve madhore, zhvillimi i pakontrolluar i turizmit rrezikon integritetin ekologjik të parkut. Ndërsa turizmi i qëndrueshëm është i mirëpritur, zgjerimi i shpejtë dhe i pa planifikuar i strukturave turistike krijon sfida për ruajtjen e habitateve, menaxhimin e vizitorëve dhe rezistencën ekologjike.
Çfarë duhet të bëhet
Shkalla e ndotjes në disa nga këto raste do të përbënte krim mjedisor edhe jashtë një zone të mbrojtur. Në kontekstin e një parku kombëtar të sapo krijuar, këto shkelje janë veçanërisht alarmante dhe kërkojnë veprim të menjëhershëm për të ruajtur besueshmërinë e statusit të parkut.
Prandaj, i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që të:
- Zbatojnë rregullore të rrepta për monitorimin dhe ndalimin e aktiviteteve nxjerrëse dhe ndotëse, si minierat e bitumit, rrjedhjet e naftës dhe nxjerrja e zhavorrit;
- Detyrojnë kompanitë nxjerrëse të zhvillojnë dhe zbatojnë projekte rehabilitimi bazuar në parimin “ndotësi paguan”;
- Rishikojnë dhe zhvendosin vendgrumbullimet e mbetjeve bashkiake për të shmangur ndotjen plastike të ujit. Gjithashtu, bashkitë duhet të hartojnë dhe zbatojnë masa rehabilitimi për vendgrumbullimet ekzistuese dhe të forcojnë sistemet e menaxhimit të mbetjeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura në komunitetet përreth;
- Sigurojnë monitorim të rreptë të shfrytëzimit të ujit dhe të bashkëpunojnë me bashkitë dhe Ministrinë e Bujqësisë për të parandaluar përdorimin e gabuar të ujit;
- Zbatojnë kontroll të rreptë ndaj zhvillimit të pakontrolluar dhe zgjerimit të strukturave turistike pranë parkut kombëtar, pasi këto mund të dëmtojnë biodiversitetin dhe të komprometojnë vlerat e ruajtjes së parkut.
Pse ka rëndësi Vjosa
Sistemi i lumit Vjosa është habitat për mbi 1,100 lloje, përfshirë 13 specie të rrezikuara globalisht, dhe është një nga lumenjtë e fundit të mëdhenj dhe të lirë në rrjedhën e tij në Evropë. Shpallja e tij si Park Kombëtar sipas kategorisë II të IUCN ishte një arritje e rëndësishme për ruajtjen ndërkombëtare të lumenjve.
“Ky park u përshëndet në mbarë botën, por realiteti në terren tregon një histori tjetër. Pa vullnet politik urgjent, Vjosa rrezikon të mbrohet vetëm në letër.” – Olsi Nika, EcoAlbania
Informacione Shtesë
- Shkarkoni raportin e plotë “Hartëzimi i Presioneve në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa”, si dhe fletë-informuese përkatëse.
- Shikoni hartën online të presioneve në Parkun Kombëtar të Vjosës
- Vjosa është lumi i fundit i madh i egër në Evropë jashtë Rusisë. Në një rrjedhë prej afro 270 kilometrash, ajo rrjedh pa pengesa nga malet e Pindit në detin Adriatik. Në mars 2023, pas dhjetë vitesh fushatë, qeveria shqiptare shpalli Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë.
- Iniciativa për mbrojtjen e Vjosës është pjesë e fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, organizuar nga Riverwatch dhe EuroNatur, me partner lokal në Shqipëri organizatën EcoAlbania. Në përpjekjet për mbrojtjen e Vjosës si park kombëtar, kemi bashkëpunuar edhe me kompaninë Patagonia
- Fushata mbështetet, ndër të tjerë, edhe nga Manfred-Hermsen-Stiftung