Në kuadër të fushatës së edukimit publik lidhur me tematikat e efiçencës dhe performancës së energjisë në vendin tonë, EcoAlbania organizoi më 9 korrik 2018 takimin “Politikat për efiçencën dhe performancën e energjisë në Shqipëri” me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD). Si pjesë e një seri takimesh, ky ishte takimi i dytë me të rinjtë e forumeve të partive politike, ku përfaqësues të organizatave pjesë e Rjetit të Vigjilencës Mjedisore dhe eksperti i politikave mjedisore ndanë me të pranishmit informacione specifike mbi tematikat energjetike.
Grupi i të rinjve të FRPD u prezantua fillimisht me projektin “Së bashku – Një sy për mjedisin”, studimin e kryer nga Rrjeti i Vigjilencës Mjedisore për efiçencën dhe performancën e energjisë në ndërtesa, si dhe disa nga gjetjet më të rëndësishme për qytetin e Tiranës. Energjia e prodhuar nga dielli dhe mundësitë e instalimit të paneleve fotovoltaike në zona të ndryshme të Shqipërisë ishin disa nga temat e diskutuara prej këtyre të rinjve. Qasja sociale e prodhimit dhe përdorimit të energjisë ishte një shqetësim tjetër i tyre. Gjatë diskutimit, ata hodhën disa ide lidhur me përmirësimin e skemave të ndihmës sociale me qëllim lehtësimin e peshës së faturës së energjisë elektrike për familjet në nevojë.
Ndërkohë, z. Erjon Tase i orientoi të rinjtë drejt një diskutimi lidhur me perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm, efiçencës së energjisë, dhe kushteve që Shqipëria duhet të plotësojë për t’iu bashkuar familjes Europiane. Ai u ndal në legjislacionin ekzistues për efiçencën dhe performancën e energjisë në ndërtesa duke shpjeguar rëndësinë e përshpjetimit të miratimit të akteve nën-ligjore. “Ligji për efiçencën e energjisë parashikon që pagesa për t’u pajisur me çertifikatën e efiçencës së energjisë duhet të kryhet nga ndërtuesi. A nuk është ky një shpenzim shtesë për ndërtuesin?” – ishte një nga pyetjet e të pranishmëve drejtuar ekspertit. “Kjo certifikatë është një siguri për konsumatorin dhe një përcaktues i çmimit të banesës. Ndaj pagesa për pajisjen me çerifikatë është në të mirë të ndërtuesit.” – u shpreh Z. Tase.
Programi elektoral i vitit 2017 i Partisë Demokratike u soll në vëmendjen e të rinjve të FRPD duke diskutuar me ta mundësinë për përmirësimin e tij në zgjedhjet e ardhshme, si dhe përfshirjen e një numri më të madh çështjesh që trajtojnë energjinë dhe mjedisin. “Asnjë nga partitë politike nuk ka patur një program të mirëfilltë të dedikuar ndaj çështjeve të energjisë dhe mjedisit në zgjedhjet elektorale të vitit 2017.” – ka shpjeguar Z. Tase.
Në përfundim të diskutimit të tyre, të rinjtë e FRPD sollën disa rekomandime të cilat mund t’i paraqiten qeverisjes në nivel qendror për përmirësimin e politikave energjetike. “Unë shikoj si nevojë të menjëherëshme për Shqipërinë uljen e burokracive shtetërore për investime në energjinë diellore dhe eolike, si dhe rritjen e incentivave për investitorët në këto fusha.” – tha një prej të rinjve të pranishëm. Ata sugjeruan ngritjen e një grupi i cili mund të paraqesë këto kërkesa pranë komisioneve përkatëse parlamentare.
Ky aktivitet u organizua nga EcoAlbania në kuadër të projektit “Së bashku – një sy për mjedisin” dhe mundësohet financiarisht nga Ambasada Suedeze nëpërmjet programit SENiOR-II i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit – REC Shqipëri.