Parlamenti Europian ka kritikuar planet e qeverisë shqiptare për të ndërtuar hidrocentrale mbi lumin Vjosë dhe i ka bërë thirrje Tiranës zyrtare të marrë në konsideratë propozimin për ta kthyer luginën në një park kombëtar.
Në pikën 23 të rezolutës së Komisionit të Zgjerimit, e cila u miratuar në Bruksel të enjten, Parlamenti Europian i bën thirrje qeverisë shqipatare të “kontrollojë zhvillim e hidrocentraleve në zona të ndjeshme mjedisore si lumi i Vjosës si dhe në zona të mbrojtura për të ruajtur integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese.”
Rezoluta e Parliamentit Europian vjen pas kërkesës së bërë nga Komisioni Europian në progres raportin e vitit 2015 ku gjithashtu i kërkohet qeverisë shqiptare t’i rishikojë planet për ndërtimin e HEC-ve në lumin Vjosë.
“Ky pozicionim i Parlamentit Evropian mbështet punën tonë në Shqipëri. Megjithatë është e rëndësishme që qeveria shqiptare të mos i injorojë këto kërkesa,” thotë Ulrich Eichelmann, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.
“Në vend të hidrocentraleve të planifikuara ne kërkojmë shpalljen e gjithë Vjosës park kombëtar, duke shpallur kështu Parkun e parë të Lumit të Egër në Evropë,” shtoi ai.
Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë pa përfshirë Rusinë. Nga burimi në malet e Pindit në Greqi deri në grykëderdhjen në detin Adriatik rrjedh e lirë dhe paprekur. Në disa zona shtrati i lumit arrin në më shumë se 2 km gjerësi. Nga ana shkencore, ky lumë është pothuaj i pa eksploruar.
“Mesazhet e rezolutës së fundit të Parlamentit Evropian në lidhje me lumin Vjosa tregojnë në mënyrë tashmë të përsëritur se shqetësimi ndërkombëtar është në rritje,” thotë Olsi Nika, Drejtor i EcoAlbania.
“Vjosa nuk përbën vetëm një aset të natyror të Shqipërisë por një thesar në trashëgiminë natyrore të familjes Evropiane ku ne synojmë të integrohemi,” shtoi ai.
Megjithatë, në kundërshtim me këto kërkesa, qeveria shqiptare ka hapur me 17 mars tenderin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, i cili ka përfunduar me vetëm një kompani të interesuar, pavarësisht faktit se qeveria e reklamoi tenderin në disa media ndërkombëtare.
Vendimi i qeverisë për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit bie ndesh me angazhimet që kishte marrë kryeministri Edi Rama gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore në qershor 2015, kur kishte premtuar se në Vjosë nuk do të ndërtoheshin më hidrocentrale dhe se lugina e saj do të kthehej në zonë të mbrojtur.
“Hapja e tenderit për ndërtimin e një hidrocentrali të ri në Vjosë na befasoi, pasi kryeministri Rama kishte sugjeruar gjithashtu mbrojtjen e këtij lumi kaq unik,” thotë Gabriel Schëaderer, drejtor i Fondacionit për Ruajtjen e Natyrës, EuroNaur.
“Për më tepër, nuk është bërë një studim i thelluar sipas standardeve të njohura ndërkombatrisht në lidhje me ndikimin që ky projekt do të kishte në natyre,” shtoi ai.
Njoftimi për shtyp është publikuar nga BIRN, OraNews , JavaNews dhe Tema.