Tiranë, Qershor 2024. Pas dy vitesh veprime përgatitore, tashmë gjykimi ka hyrë në fazën e debatit me qëllim mbrojtjen e Shushicës si degë e rëndësishme e lumit Vjosë, nga ndërtimi i paligjshëm i katër hidrocentraleve. 28 banorë, përfaqësues të komunitetit së bashku me qendrën “Eco Albania” dhe shoqatën “Impetus”, përfaqësohen në gjykatë nga avokatët e qendrës “Res Publica”. Ata kanë paditur Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM) dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) për miratimin e kontratës dhe lejes mjedisore për projektin e ndërtimit të HEC-eve mbi lumin Shushicë në përfitim të shoqërisë “Shushica Hydropower”, duke ngritur pretendime për gjithë mozaikun legjislativ relevant.
Shkeljet janë hasur që në zanafillë të projektit “Shushica Hydropower”, në 2017 kur Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) hartoi Studimin e Fizibilitetit për ndërtimin e 4 hidrocentraleve në lumin Shushicë pa konsideruar planifikimin në nivel kombëtar të përdorimit të këtyre ujërave. Në raportin e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit evidentohet se zhvillimi i projektit “Shushica Hydropower” nuk përputhet me asnjë instrument planifikimi në fuqi, Plan Kombëtar Sektorial, Plan të Përgjithshëm Vendor apo Plan të Detajuar Vendor. Vlerësimi i Ndikimit më Mjedis (VNM) e zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit është realizuar pa u mbështetur në të dhënat e studimeve bazë dhe pa marrë më parë mendimin e specializuar të institucioneve shkencore, organizatave mjedisore apo ekspertëve të fushës dhe komunitetit. Gjithashtu, nuk u konsiderua mendimi kundër i Njësisë që Qeverisjes Vendore, Bashkisë Selenicë. Raporti i VNM-së është një dokument me përmbajtje me analizë sipërfaqësore, të pasaktë, i bazuar në të dhëna të vjetëruara apo burime jo të besueshme dhe me mospërputhje të dukshme në informacionin dhe analizat që përcjell.
Kontrata u nënshkrua pa marrë më parë miratimin paraprak për përdorimin e burimit ujor nga Këshilli Kombëtar i Ujit dhe pa një Plan të Përgjithshëm për Zonën me Rëndësi Kombëtare për lumin Shushicë. Ndërkohë, Shushica është një nga degëzimet më të mëdha të lumit Vjosa, i cili është shpallur Park Natyror në 2022 dhe Park Kombëtar në 2023. Në Planin e Përgjithshëm Kombëtar dhe në Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Selenicë, zona përreth lumit Shushicë është e projektuar drejt turizmit, agroturizmit, ekoturizmit, turizmit aventuresk, etj. Këto plane nuk parashikojnë asnjë projekt për zhvillimin e hidrocentraleve mbi lumin Shushicë.
“HEC-et e parashikuara për ndërtim prodhojnë një sasi shumë të vogël të energjisë, e cila nuk justifikon dëmin e jashtëzakonshëm mjedisor dhe pasojat që mund të ketë në ekonominë e popullsisë vendase që ujin e kanë elementin bazë të bujqësisë dhe bagëtisë”, thotë avokat Dorian Matlija.
Njohuritë shkencore për Vjosën dhe biodiversitetin e saj deri vonë kanë qenë shumë të kufizuara dhe kështu vijojnë edhe sot, pavarësisht se së fundmi janë bërë ekspedita në zonë nga shkencëtarë të huaj, të organizuar nga universitete prestigjoze si ai i Vjenës, përmes lehtësimit nga ana e qendrës “Eco Albania”. Sipas vlerësimeve të deritanishme, të paktën 177 specie të listuara në Anekset e Konventës së Bernës gjenden në luginën e Vjosës, si dhe 9 gjitarë, 112 specie zogjsh, 12 specie peshqish, 32 amfibë dhe reptilë, 9 specie insektesh dhe 3 bimë vaskulare. Bazuar në këto gjetje dhe cilësitë e habitatit, e gjithë lugina e Vjosës do të kualifikohej si zonë Emerald dhe do të kërkonte mbrojtje të posaçme.
Nga ana tjetër, lumi Vjosa ka një vend të veçantë dhe të rëndësishëm në jetën e përditshme të banorëve që jetojnë përgjatë brigjeve të tij dhe degëve përbërëse si Shushica e Bënça. Falë saj, fshatrat sigurojnë tokën pjellore për aktivitete bujqësore, peshkim apo biznese të eko-turizmit të cilat e kanë bazuar ekzistencën e tyre në rrjedhat natyrore të Vjosës. Turizmi në Vjosë dhe degët e saj është gjithnjë në rritje, veçanërisht në vitet e fundit ku entuziastët organizojnë veprimtari të tilla si rafting, kanotazh, not, etj.
Ndërtimi i digave të HEC-eve do të shkatërronte vlerat e jashtëzakonshme ekologjike të këtij baseni. Vjosa, së bashku më degëzimet Shushica e Bënça, përbën një ekosistem të vetëm që është një thesar evropian. Ndërtimi i digave, si në shtratin qendror, ashtu edhe në degët e saj, do të shkatërronte këtë ekosistem unik dhe potencialin e tij të lartë për shfrytëzimin e qendrueshëm të burimeve natyrore në të ardhmen dhe gjithashtu bie ndesh me legjislacionin e BE-së, si: Direktivat e Natura 2000, Direktiva për Zogjtë dhe Habitatet dhe Direktiva Kornizë e Ujërave.
Ndikimi i HEC-eve do të kishin ndikime të forta negative në të gjithë ekosistemin e lumit Vjosë, duke përkeqësuar cilësinë e ujit, duke ndërprerë dhe penguar migrimin e specieve dhe për pasojë lidhjen e popullatave të tyre, duke bllokuar transportin e sedimentit (rëra, zhavorret etj.). Si pasojë, do të sillte edhe pakësimin e ujit të pijshëm për komunitetin lokal në zonat e Selenicës. Banorët e zonës arrijnë deri atje sa thonë se pasojat e këtij projekti do të jenë të tilla aq ata do të detyrohen të zgjedhin rrugën e emigrimit.
Më në fund, kemi hyrë në procesin e debatit gjyqësor. Në seancën e radhës ishin përfaqësues nga MIE, ndërsa AKM injoroi nevojat për të mbrojtur Parkun Kombëtar Vjosë (kujtojmë që Qeveria ka marrë angazhim ndërkombëtar për ta njohur Vjosën si të tillë). Shpallja e Vjosës Park Kombëtar ishte një fitore e jashtëzakonshme pas një aksioni unik mes organizatave e individëve jashtë e brenda vendit, dhe nuk mund të lejohet që interesat personale e momentale të një pakice të shkaktojnë dëme të pariparueshme për publikun e gjerë dhe brezat që vijnë.
Nga Res Publica