Një nga problematikat më të mprehta të degradimit mjedisor në bregdet shkaktohet nga mbetjet urbane. Kjo problematikë, së bashku me problemin e kanalizimeve janë ende të pazgjidhura dhe alarmante.
Mbetjet grumbullohen pranë lumenjve, përrenjve dhe pranë detit. Depozitimet e tyre shkojnë në landfille por këto janë jashtë standarteve, janë të paplanifikuara dhe ndodhen në vende të papërshtatshme.
Problematika e trashëguar prej 30 vjetëve e menaxhimint të mbetjeve ka qenë së fundmi edhe në vëmendjen e veçantë të Kryeministrit, i cili ka ndërmarrë një fushatë të koordinuar me pushtetin vendor që ka si synim pastrimin e territorit përpara sezonit turistik. Për më tepër Qeveria ka hartuar edhe një plan që synon mbështetje proporcionale me nevojat për secilën prej Bashkive.
Në një studim mbi hartëzimin e problematikave më të mprehta mjedisore përgjatë bregdetit në Shqipëri të realizuar nga EcoAlbania me mbështetjen e Fondacionit Westminster për Demokraci, u vlerësua perceptimi i aktorëve të ndryshëm të rajonit bregdetar përfshirë Njësitë e Qeverisjes Vendore, agjencitë e ndryshme, botën akademike, sektorin privat dhe OSHC-të. Në veçanti, mungesa e një landfilli në bregdet dhe mungesa e riciklimit të mbetjeve është vlerësuar si problematika kryesore në të gjithë bregdetin. Megjithatë, ky problem perceptohet si mjaft të qenësishëm nga aktorët lokalë të qytetit të Durrësit të cilët e vlerësojnë me 3.63 pikë nga 4 të mundshme ndërsa në Lezhë me 3.83 nga 4 pikë.
Menaxhimi i mbetjeve të ngurta urbane dhe kanalizimeve kërkon një sistem menaxhimi të ri, ashtu si dhe një kontroll institucional nëpërmjet inspektoriateve të mjedisit. Megjithatë në mënyrë që modeli të jetë plotësisht efektiv, duhet të shtrihet edhe në zonat rurale të bashkive. Bashkitë kanë plane vendore për menaxhimin e mbetjeve por ende nuk kanë mundur të sigurojnë një strategji të mirëfilltë riciklimi dhe depozitimi të tyre.
Një tjetër aspekt është se Vlora p.sh ka potencial të madh zhvillimi në turizëm, por për fat të keq plazhi i Adriatikut ka tashmë 7 kanale të ujërave të përdorura. Në këtë plazh madje janë hequr edhe tabelat qe tregonin praninë e këtyre ujërave. Për këtë, bashkia e Vlorës është në përfundim të proçesit të impianteve të ujërave të zeza dhe mbetjeve urbane të cilat pritet të vendosen në funksion në Mars të vitit 2022. Përveç kësaj Bashkia ka parashikuar edhe rregulla të reja për grumbullimin e mbetjeve dhe ndarjen e tyre sipas kategorive. Konkretisht, çdo vit në Vlorë grumbullohen 122,463 ton mbetje dhe këto nuk klasifikohen kur shkojnë në landfill, proces i cili rrit kohën e riciklimit të tyre. E thënë ndryshe qyteti i Vlorës prodhon 76,9% të mbetjeve në të gjithë Qarkun e saj.
Sipas studimit të realizuar, një rekomandim për bashkinë Vlorë lidhet me nevojën për një grup të posaçëm pune në mënyrë që bashkia të sigurojë statistika se sa nga mbetjet shkojnë në landfill pasi aksionet e pastrimit qytetar nuk kanë qenë të mjaftueshme. Vitet e fundit ka pasur shumë pak iniciativa ligjore për të sjellë ndryshime nga OSHC-të. Aksionet e pastrimit nuk janë zgjidhje e përhershme e problemit, por shërbejnë vetëm si hallkë ndërgjegjësimi për qytetarët. Prandaj rritja e kapaciteteve vendore në lidhje me kontrollin, menaxhimin dhe inspektimin e mbetjeve në brezin bregdetar është në planin e Bashkisë së Vlorës.
Për t‘u ndalur tek Bashkia Lezhë, një studim fizibiliteti është duke u realizuar për mbetjet urbane që të ndalojë volumin e tyre nëpërmjet shtratit të lumit Drin. Në një diskutim me përfaqësuesit e institucioneve vendore të Lezhës, të realizuar me 14 dhjetor 2021 u theksua nevoja e realizimit të procesit të pastrimit të mbetjeve urbane në këtë lumë. Ky proces do të përmirësonte edhe ruajtjen e ekosistemit ne lagunën Kune-Vain.
Ndërsa në bashkinë Durrës, në deltën e lumit Ishëm evidentohet prania e mbetjeve spitalore, ndërkohë që në Spille këto mbetje digjen në natyrë. Pavarësisht se landfilli i mbetjeve në Manëz vlerësohet nga aktorët lokalë me 24%, ky është i pamjaftueshëm nisur nga shifra e lartë e mbetjeve. Si shkak i menaxhimit jo efiçient të tyre, mbetjet do të transferohen në landfillin tjetër të Sharrës, por me nismën e re nga bashkia Lezhë këto mbetje do të diferencohen përpara se të përfundojnë në këtë landfill.
Gjatë diskutimeve lidhur me problematikat mjedisore në bregdet u arrit në konkluzionin se proçeset e ristrukturimit e rishikimit të planeve të Bashkive, shpeshherë bëhen në mënyrë të nxituar dhe pa u njohur me përfundimet shkencore dhe sugjerimet e grupeve të interesit. Në këtë mënyrë, një proces konsultimi mes grupeve të interesit, shkencës dhe vendim-marrjes u rekomandua midis institucioneve vendore në Vlorë, Durrës e Lezhë dhe OSHC-ve në proceset e planifikimit urban në bregdet.