Kajakë dhe polifoni: Miqtë e Vjosës i thonë JO digës

Nga Ivana Dervishi / BIRN

Një grup sportistësh, aktivistësh mjedisorë dhe figurash politike nga vendi dhe Europa bashkuan forcat në përpjekje për të bindur qeverinë shqiptare të tërhiqet nga hidrocentralet mbi lumin Vjosë dhe ta shpallin atë park kombëtar.


Aktivistët e mjedisit nga Europa dhe SHBA i thonë “Jo digave” në lumenjtë e Shqipërisë. (c) I. Dervish

Atleti slloven, Rok Rozman hedh i entuziazmuar krahëve “peticionin lundrues”- një kajak i mbushur me firma kundër ndërtimit të digave në lumenjtë e Ballkanit- dhe zbret drejt shtratit të gurtë të lumit të Bençës, degë e Vjosës pranë Tepelenës.

Pas gjashtë muajsh përpjekje, në bashkëpunim me organizatën EcoAlbania në Shqipëri, Rozman ia doli të mbledhë bashkë rreth 150 sportistë dhe aktivistë të mjedisit për të vozitur në kuadër të turit të madh në mbrojtje të lumenjve të Ballkanit, i cili nisi më 16 prill nga Sava e Sllovenisë.

Dëshmitar i problemeve që hidrocentralet kanë shkaktuar në vendin e tij, Rozman nuk e kupton se si Shqipëria po çon drejt shkatërrimit një mrekulli natyrore si Vjosa.

“Shqiptarët duhet të ngrihen dhe t’i kërkojnë qeverisë të mbrojë interesat e vendasve, jo të investitorëve që shfrytëzojnë dhe largohen,” tha ai për BIRN.

Grupi i pazakontë i sportistëve të ngarkuar me kajakë tërheq vëmendjen e banorëve të fshatit Bënçë. Rakip Caka, 74 vjeç dhe Medih Spaho, 86 vjeç ndjekin së largu me kuriozitet se sa të huajt do t’ia dalin të vozisin përgjatë Vjosës në këtë ditë të vrenjtur maji. Megjithatë, të moshuarit gjenden për një çast në të njëjtën grackë vëmendjeje.

Disa aktivistë amerikanë rrethojnë të moshuarit dhe i pyesin se ç’mendim kanë për HEC-in e Bënçës. Përballë këmbënguljes së tyre, Caka dhe Spaho shprehen të dyzuar.

“Nëse lumi nuk do të cenohet, nuk kemi asnjë kundërshtim që zona jonë të ndikojë në rritjen e ekonomisë shqiptare,” tha për BIRN Rakip Caka. “Edhe ne banorëve do të na jepte një dorë premtimi që na kanë bërë për energji falas me ndërtimin e HEC-it,” shtoi ai.

“Vjosa është jo vetëm lumi i vetëm i egër i Europës, por padyshim lumi më i bukur që unë kam parë deri më sot. Dhe më besoni, kam parë shumë lumenj në jetën time,” thotë një nga aktivistët.

Artikullin e plotë e gjeni të publikuar nga Reporter.al

Një protestë në mbrojtje të lumit Vjosa është mbajtur në Qesarat të Tepelenës. Në mesin e protestuesve, ambjentalistëve, artistëve e gazetarëve ishin edhe deputetë. Atyre i është bashkuar edhe nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek.

Protesta mblodhi mbi 200 persona. Me ata u bashkua edhe deputetja socialiste Arta Dade. Me sloganin, “Vjosa, jo diga”, protestuesit i kërkuan kryeministrit Rama të ndalë ndërtimin e hidrocentraleve në këtë lumë.

Kronikë e përgatitur nga Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *