++Izolimi social nga COVID-19 nuk ka ndalur kompaninë të vazhdojë procedurat për lejen mjedisore++
Madhesh, 30 Korrik 2020. Planet për ndërtimin e një hidroncetrali në rrjedhën e Lunresë degë e lumit Mat, kanë bërë qëbanorët e fshatit Madhesh të Matit të mblidhen për të diskutuar mbi mundësitë për ta ndaluar këtë projekt që prek jetën e tyre të përditshme dhe të ardhmen e brezave në këtë zonë.
Në një takim me përfaqësues të EcoAlbania-s ata shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me këtë projekt dhe kërkuan ndihmën e organizatës për të kundërshtuar hidrocentralin në fjalë. Bazuar në eksperiencën me komunitete të tjera të prekura nga hidrocentralet, Robert Shahini, koordinator projekti në EcoAlbania, ndau me banorët disa informacione të rëndësishme në lidhje me rrugët demokratike dhe ligjore për kundërshtimin e këtij projekti si dhe i inkurajuan ata të jenë të bashkuar dhe të luftonin për mbrojtjen e lumit dhe bukurive natyrore të zonës.
Lumi i Lunresë ndodhet pranë Parkut Rajonal Natyror të Ulzës dhe HEC Madhesh do të shfrytëzojë ujërat e lumit të Lunresë mbi digën e liqenit të Shkopetit. Në VNM-në Paraprake të paraqitur nga kompania “A.R.M-Albania sh.p.k” për këtë projekt shkruhet se të gjithë objektet e HEC-it do të ndërtohen jashtë zonave të mbrojtura, përveç linjës elektrike e cila do të kalojë në zonën e mbrojtur “Liqeni i Ulzës”, ndërsa banorët shprehen se hidrocentrali do të prekë zonën e mbrojtur. Ata gjithashtu shprehen se nuk janë njoftuar për dëgjesën publike, e cila është realizuar vetëm me përfaqësuesit e bashkisë Mat dhe në kohë izolimi nga pandemia e Covid-19 në muajin Prill. “Këtu s’ka asnjë investim, ne do rezistojmë për shtëpitë tona” u shpreh njëri nga banorët. Banorët e kundërshtojnë këtë projekt, pasi janë të vetëdijshëm për ndikimet që kanë hidrocentralet, duke iu referuar hidrocentralit “Gurra” i ndërtuar po në këtë zonë.
Informacion i përgjithshëm:
Lumi dhe përroi i Lunresë janë degët e fundit të lumit Mat që rrjedhin në anën e majtë të tij para digës së hidrocentralit të Shkopetit. Ata kanë përgjithësisht drejtimin jug-veri. Pellgu ujëmbledhës i lumit të Lunresë kufizohet nga lindja me pellgun ujëmbledhës të përroit të Terrajës, nga jugu dhe jug-perëndimi me pellgun ujëmbledhës të lumit të Hurdhazit. Maja më e lartë e pellgut ujëmbledhës të lumit të Lunresë është mali i Skënderbeut në faqen jugore në kuotën 1524 m mbi nivelin e detit.