++Organizatat mjedisore mbajnë qëndrim në lidhje me projektin e hidrocentralit të Kalivaçit në lumin Vjosa++
Tiranë, 8 prill 2019 – Kompania koncesionare e HEC Kalivaç AYEN – ALBsh.a dhe kompania konsulente për hartimin e VNM-së, Abkons, kanë zhvilluar 2 takime me OJF-të mjedisore, në Tiranë. Qëllimi i këtyre takimeve ishte prezantimi i projektit të hidrocentralit të Kalivaçit dhe hapat që kompania do të ndërmarrë për të zbatuar këtë projekt. Në këto takime kompania Abkons kërkoi të realizonte dhe konsultime për ndikimet në mjedis të projektit.
Pjesëmarrëse në këto takime, organizatat EcoAlbania, REC, INCA, Ekolëvizja, EuroNatur, EDEN, ACEG, Milieukontakt Shqipëri, Iliria dhe ResPublica, u shprehën se, që prej lidhjes së kontratës koncesionare (dt. 08.06.2018), nuk është bërë publik asnje informacion zyrtar në lidhje me këtë projekt. Edhe në këtë takim të dedikuar për OJF-të, pjesëmarrrësve nuk iu është vënë në dispozicion asnjë dokument paraprak apo studim i realizuar nga kompania mbi të cilin mund të jepnin mendimet apo komentet e tyre.
Organizatat u shprehën se ky nuk mund të konsiderohet konsultim me palët e interesuara dhe se ato kanë marrë pjesë në këtë takim, vetëm për të shprehur interesin për të ndjekur porcesin e realizimit të studimit të VNM-së që është një çështje kaq e rëndësishme për vlerësimin e projektit të hidrocentralit të Kalivaçit në lumin Vjosa.
Gjatë takimit, Kompania konsultuese deklaroi se studimi i Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social nuk ka filluar dhe planifikohet të realizohet për një periudhë 4-5 mujore. Kjo ngre një shqetësim shumë serioz lidhur me cilësinë VNM-së, si dokumenti më i rëndësishëm që shoqëron një projekt të tillë. Nga ekperienca e ekspertëve kombëtar dhe ndërkombëtar, të angazhuar prej më shumë se 3 vitesh me studime në lumin Vjosa, ka rezultuar se për të marrë të dhëna serioze nevojitet më shumë kohë, duke konsideruar faktin se ekzistojnë shumë pak të dhëna shkencore për biodiversitetin apo transportin e sedimenteve në Vjosë.
Nga ana tjetër Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka përfshirë në konsultime për projektin asnjë nga grupet e interesit para se të nënshkruante kontratën për ndërtimin e hidrocentralit , duke vënë para faktit të kryer banorët, OJF-të, qeverisjen lokale, etj.
Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë që ende rrjedh i lirë. Ky rrjet lumor unik nuk gjendet më në Evropë dhe si i tillë përbën potencial të lartë për zhvillimin e qëndrueshëm të gjithë luginës, përmes ekoturizmit dhe fuqizimit të ekonomisë lokale.