Gratë e Vjosës: Histori që frymëzojnë

Më 10 mars 2025, EcoAlbania organizoi një takim të veçantë me gratë e zonës së Këlcyrës dhe Përmetit, duke sjellë së bashku gra nga komuniteti, aktiviste dhe sipërmarrëse që zhvillojnë aktivitete përgjatë lumit Vjosa. Ky aktivitet kishte në fokus fuqizimin e grave dhe rritjen e përfshirjes së tyre në vendimmarrje për çështjet mjedisore.

Pjesëmarrja e grave në takime dhe procese vendimmarrëse për mjedisin mbetet e ulët, një realitet që vihet re jo vetëm në këto zona, por edhe më gjerë. Ekspertja Elona Dhëmbo ndau një prezantim mbi rëndësinë e përfshirjes së grave dhe grupeve të margjinalizuara në menaxhimin e burimeve ujore, veçanërisht në basenin e Vjosës.

Gjatë diskutimit, pjesëmarrëset ndanë përvoja ku shpesh zëri i tyre nuk është dëgjuar, ose ato nuk kanë qenë të informuara për organizime të tilla. Nevoja për të ngritur zërin dhe për t’u dëgjuar ishte një nga temat kryesore të debatit, ku disa nga gratë ndanë histori personale mbi përpjekjet e tyre për të marrë pjesë në protesta dhe diskutime për mbrojtjen e mjedisit.

Histori frymëzuese të grave të lidhura me Vjosën

Një moment i veçantë i takimit ishte ndarja e historive të pesë grave të lidhura ngushtë me lumin Vjosa. Moderatorja dhe intervistuesja e tyre, Rashela Shehu, ndau përvojën e saj gjatë intervistimit dhe dokumentimit të tyre, duke sjellë rrëfime nga:

  • Irma Tako – guidë rafting dhe drejtuese e Vjosa Explorer 
  • Dr. Fundime Osmani – studiuese e invertebrorëve të lumit Vjosa, pjesë e grupimit Shkencëtarët për Vjosën
  • Laerta Tani – mësuese në Këlcyrë
  • Albiona Muçoimaj – udhërrëfyese në Vjosë dhe aktiviste
  • Lejla Qejvani – aktivistje nga Vlora në mbrojtje të Shushicës

Pjesëmarrëset patën mundësinë të shihnin foto dhe video nga procesi i intervistave, duke njohur më nga afër përpjekjet e këtyre grave për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të Vjosës.

Takimi u shndërrua në një hapësirë të hapur dialogu, ku gratë ndanë ide dhe diskutuan mbi mundësitë e tyre për të ndikuar më shumë në proceset vendimmarrëse për mjedisin. Përmes shkëmbimit të përvojave dhe historive frymëzuese, u theksua rëndësia e angazhimit të tyre në mbrojtjen e lumenjve dhe ekosistemeve natyrore. Një aspekt interesant dhe argëtues për pjesëmarrëset ishte ndarja e ushqimeve te gatuara nga vetë ato nën tingujt e muzikës të grupit polifonik. 

Kjo nismë synon të theksojë sfidat e këtij grupi e të promovijë të drejtat e tyre duke inkurajuar më shumë gra të bëhen pjesë aktive e mbrojtjes së mjedisit.