++Nevoja për veprime sinergjike në mbrojtjen e Parkut Kombëtar
“Divjakë-Karavasta” nga urbanizimi bën bashkë shoqërinë civile dhe komunitetin shkencor++
Tiranë, datë 12 dhjetor 2017. Përfaqësues të OJF-ve mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare, ekspertë mjedisi, donatorë dhe aktivistë u mblodhën dje në një forum të dedikuar Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta” për të bashkuar energjitë në mbrojtje të Parqeve Kombëtare në Shqipëri. Parqet Kombëtare edhe pse të mbrojtura sipas legjislacionit mjedisor në fuqi, po ekspozohen çdo ditë e më shumë ndaj rreziqeve me karakter betonizues për përfitime dhe interesa të ngushta të disa bizneseve të huaja dhe vendase.
Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta” i shpallur që në vitin 1994, me një sipërfaqe prej më shumë se 22200 ha, mbron një ekosistem unik të lagunave, dunave ranore dhe pyjeve të pishës me florën dhe faunën e pasur. Aty mund të gjenden pyjet me pishat më të vjetra të vendit, me pemë të një moshe prej më shumë se 400 vjeçare dhe përbën një nga vendet më të rëndësishme për shpendët shtegtarë përgjatë gjithë bregdetit të Adriatikut Lindor si dhe përbën vendin e vetëm ku folezon Pelikani Kaçurrel- një lloj i rrezikuar.
Megjithatë, ky ekosistem unik sot kërcënohet më shumë se kurrë nga modeli i betonizimit masiv i propozuar nga Mabetex Group. Ky masiv zhvillimi, aspak miqësor me mjedisin, në zemër të Parkut përbën një rrezik serioz si për kompleksin ligatinor, për rrjetin e Zonave të Mbrojtura në Shqipëri si dhe të ardhmen e ekosistemeve në terësi. “Roli i shtetit duhet të jetë vendimtar në çdo projekt zhvillimor të paraqitur, sidomos kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura. Në raste të tilla, shteti nuk duhet të funksionojë vetëm si pranues propozimesh nga investues të mëdhenj, por duhet të marrë edhe rolin e realizuesit të studimeve”, tha Gjergj Buxhuku, Drejtori i Konfederatës së Industrive të Shqipërisë. Ndërsa Mihallaq Qirjo, Lektor në Universitetin e Tiranes dhe Drejtor i Qendrës Rajonale të Mjedisit( REC Shqipëri) u shreh se “Një Zonë e Mbrojtur duhet t’i shërbejë komuniteteve me modele zhvillimi jo agresive, pasi në të kundërt kostot e një vendimmarrje të tillë ose do ti mbartim gjithmonë ose do të jenë shumë të shtrenjta për ti zhbërë”.
Edhe pse mbetet një projekt i pa miratuar ende, shoqëria civile është angazhuar për ta ndaluar këtë projektet në kohë, duke e kundërshtuar atë me të gjitha format demokratike. “Ne kemi ndjekur hap-pas hapi të gjitha informimet dhe konsultimet publike të zhvilluara nga kompania dhe vendim-marrësit, pavarësisht njoftimit të vonë i cili nuk na ka lëne kohën e mjaftueshme për konsultimin e materialeve. Megjithatë ende nuk kemi një përgjigje zyrtare nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit në lidhje me statusin e këtij projketi”, tha Taulant Bino, nga AOS – Shoqata e Ornitologjike e Shqipërisë.
Çështja ka shqetësuar edhe organizatat ndërkombëtare, ku disa prej tyre të pranishme në këtë forum nxisin Qeverinë Shqiptare të respektojë konventat e ratifikuara nga Shqipëria dhe të garantojë mbrojtjen e një prej ligatinave më të rëndësishme në Mesdhe.
Informacion shtesë:
Projekti i ndërtimit synon zënien dhe tjetërsimin e 10% të territorit të Parkut, ndërkohë që infrastruktura shoqëruese, mbështetëse (rrugë, ndriçim, rrjet elektrik, dallgëthyes. etj) do të ndikojë negativisht në gjithë sipërfaqen e tij. I shtrirë në mbi 12 km vijë bregdetare projekti parashikon ndërtimin e 2400 apartamenteve, 370 vilave, një vendpushim turistik prej 90 ha me kapacitet maksimal pritës 18,000 turistë/ditë.
Ky forum organizohet si pjesë e fushatës ndërgjegjësuese «Stop Urbanizimit të Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta”», të ndërmarrë nga një grup organizatash kombëtare (AOS, EcoAlbania, LexFerenda dhe Pseda-Iliria) e cila mbështetet nga LëvizAlbania dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Ky është forumi i tretë publik që koalicioni i shoqërisë civile organizon për të ndërgjegjësuar publikun mbi ndikimet negative të projektit urbanizues në PK “Divjakë-Karavasta”.
Gjeni këtu Spotin ndërgjegjësues nr. 1 si dhe këtu Spotin ndërgjegjësues nr. 2, të prodhuar në kuadër të fushatës «Stop Urbanizimit të Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta”».