Finalja e Turit të Lumenjve të Ballkanit në Vjosë

Turi i Lumenjve të Ballkanit zhvendoset në destinacionin e tij final në luginën e Vjosës, për të vazhduar rrugëtimin e nisur më 16 prill në Slloveni. Nën sloganin “Të shpëtojmë lumenjtë e Ballkanit – Stop cunamit të digave”, Turi i lumenjve të Ballkanit synon të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me vlerat e lumenjve të Ballkanit dhe kërcënimet me të cilët ata ballafaqohen. Udhëhequr nga ish-atleti olimpik slloven dhe themelues i Leeway Collective, Rok Rozman, kajakistë nga e gjithë Evropa kanë përshkuar 17 lumenj në 6 shtete të ndryshme të Ballkanit, duke filluar me lumin Sava në Slloveni. Porta e parë pritëse për turin në Shqipëri ishte Valbona, e më pas Osumi.

Finalja e madhe e turit të lumenjve të Ballkanit do të zhvillohet në datat 13-19 maj në luginën e lumit Vjosa tashmë të njohur gjerësisht si perla e egër e Evropës.

Që nga malet e Pindit në Greqi e deri në grykëderdhjen e tij në detin Adriatik, Vjosa rrjedh e pandërprerë për afro 270 kilometra. Kanione të thellë, rrjedha të rrëmbyeshme, brigjet me zall në një shtrat të gjerë dhe ishuj në brendësi të shtratit lumor janë tipike për Vjosën. Ajo çka e bën këtë sistem lumor të veçantë është se jo vetëm dega kryesore e tij është e pa prekur, por edhe shumica e degëve të tjera si  lumi i mrekullueshëm i Bënçës.

Për këto arsye Vjosa është një lumë unik në të gjithë Evropën por fatkeqësisht edhe një nga më të kërcënuarit. Në gjithë ujëmbledhësin e saj, janë planifikuar 40 hidrocentrale, vetëm pak ditë më parë Qeveria miratoi ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, konçesioni i  dytë i madh pas HEC-it të Kalivaçit. Ndërtimi i këtij të fundit do të rrënonte përfundimisht pjesën më dinamike dhe më me vlerë të këtij lumi të rrallë.


Hapja e Turit të Lumenjve të Ballkanit në Slloveni, liqeni Bohinj. (c) J. Pirnat

Ky tur i rëndësishëm 36 ditor organizohet në mbështetje të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, qëllimi i së cilës është të parandalojë ndërtimin e këtyre HEC-eve dhe në vend të tyre të krijojë një Park Kombëtar në të gjithë luginën. Kjo do të përbënte Parkun e parë Kombëtar të një lumi të “egër” në të gjithë kontinentin.

Gjithë banorët e luginës së Vjosës janë shprehur fuqimisht në mbështetje të vizionit të Parkut Kombëtar dhe i kundërshtojnë projektet e ndërtimit të HEC-eve.

Në këtë finale të madhe të turit të lumenjve të Ballkanit, kajakistë nga e gjithë Evropa do t’i dorëzojnë kryeministrit Edi Rama në 20 maj në Tiranë një peticion të veçantë me kërkesën për mbrojtjen e Vjosës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *