Vlorë, 24 Maj 2019. EcoAlbania nisi zbatimin e projektit “Masat për ruajtjen e Bretkosës Pelophylax Shqipericus në Gjirin e Vlorës”, mbështetur nga Critical Ecosystem Partnership Fund, i cili synon të hartojë një plan veprimi dhe masa konkrete për mbrojtjen dhe menaxhimin e kësaj specieje të rrezikuar.
Në takimin hapës të organizuar në Vlorë me pjesëmarrjen e AdZM-së Vlorë dhe organizatave lokale CRCD dhe SEEP u diskutua mbi bashkëpunimin midis aktorëve lokalë dhe EcoAlbanias si dhe metodologjinë për realizimin e “Planit të Veprimit për Specien”. Me anën e këtij projekti, EcoAlbania do të ndihmojë në sigurimin e dëshmive mbi shpërndarjen dhe ekologjinë e species, si dhe statusin e popullsisë së saj në Gjirin e Vlorës.
Bretkosa shqiptare (Pelophylax shqipericus) është një specie endemike dhe gjendet në disa zona të Gjirit të Vlorës. Takimi hapës u pasua me një vizitë në pjesën jugore të Lagunës së Nartës, e cila është një ndër pikat ku do të zhvillohet monitorimi i species pasi përbën spot të rëndësishëm të habitatit të saj.
Në nivel ndërkombëtar ekziston një shqetësim i rëndësishëm për statusin e species për shkak të rënies së popullsisë dhe degradimit të habitatit të saj. Ajo aktualisht është e listuar si ‘e rrezikuar’ në Listën e Kuqe të IUCN dhe është listuar në Shtojcën III të Konventës së Bernës.