“Dita e Vjosës”- një festë shumëngjyrëshe me pjesëmarrje nga i gjithë komuniteti i luginës së Vjosës u mbajt me 6 qershor 2015 për herë të parë nga EcoAlbania në Tiranë, me qëllim shpalosjen e vlerave të luginës dhe mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Evropës. Gjatë gjithë kësaj dite festive të pranishmit u shoqëruan me frymën e Vjosës duke filluar që nga informacionet historike, problematikat, muzika, e deri tek produktet tradicionale të zonës së Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës e Selenicës.
Po si erdhëm deri këtu? Prej kohësh kemi nisur një fushate të madhe “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” në bashkëpunim me OJF-të ndërkombëtare Riverwatch dhe Euronatur me qëllim mbrojtjen e lumenjve me potenciale të mëdha natyrore në Evropën juglindore, nga ndërtimet e pakontrolluara të projekteve për qëllime hidro-energjetike. Në këtë kuadër EcoAlbania, ka nisur një tur takimesh ndërgjegjësuese përgjatë gjithë luginës së Vjosës. Gjatë kësaj kohe janë zhvilluar takime intensive informuese dhe ndërgjegjësuse, duke filluar nga Çarshova deri në Selenicë, e duke e mbyllur pikërisht me “Ditën e Vjosës” në Tiranë.
“Si nismëtarë dhe mbështetës të gjithë kësaj fushate në Shqipëri, ndjehemi shumë të kënaqur që një pjesë nga lugina e Vjosës mundi të kalojë nga Qendra e Kryeqytetit, qoftë edhe për pak orë. Kemi bindjen dhe shpresën se kjo do të mund të ndikojë më nga afër tek vendimmarrësit, por jo vetëm … do të nxitë më tej edhe të gjitha palët e interesuara për të ndaluar dhe hequr dorë nga ndërtimi i digave mbi lumin Vjosë, si dhe për të hequr dorë nga betonimi, nga tunelimi dhe dëmtimi mjedisor që po bëhet sot mbi gjithë degët e tij” u shpreh Prof. Dr. Aleko Miho, Kryetar i EcoAlbania.
Në fjalën e saj përshëndetëse, deputetja Znj. Arta Dade, mike të Vjosës, u shpreh: “Si çdo qytetar që e ka jetën të lidhur me Vjosën, dëshiroj dhe unë që Vjosën ta kemi ashtu siç na e ka dhuruar natyra, ta kemi të pastër dhe të jetë në funksion të gjithë popullatës që jeton gjatë brigjeve të saj”.
Për të parë filmin e shkurtër “Dita e Vjosës” mund të klikoni këtu
Vlerësoj deklaratën e kryeministrit për shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombëtar. Ky është një vendim i rëndësishëm sepse krijohen premisa për të ç‘ bërë shumë vendime të padrejta që kanë shkuar jo në interes të shqiptarëve, jo në interes të ekonomisë shqiptare, të zhvillimit të turizmit që më shumë e komprometojnë pasurinë dhe vlerat e këtij vendi”, tha Z. Besnik Bare, deputet.
Përse zgjodhëm pikërisht Vjosën?
A e dini se Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës? Vjosa është ndër lumenjtë e rrallë të Evropës që është i pa ndërprerë me diga nga burimi e deri në grykëderdhje në det. Për këtë, me të drejtë konsiderohet lumë i egër dhe sot kërkohet të mbrohet si i tillë duke e shpallur Park Kombëtar lumor.
Në rrjedhën e saj ajo karakterizohet nga kanione të mrekullueshme, ishuj, kthesa dhe thyerje natyrore të jashtëzakonshme, duke na dhuruar një ekosistem tepër dinamik, pothuajse natyror, ekosistem unikal që përfaqëson një trashëgimi të vërtetë natyrore evropiane. Edhe pse Vjosa është një ndër lumenjtë më pak të studiuar në Evropë, ajo karakterizohet nga vlera të jashtëzakonshme të biodiversitetit. Vjosa përveçse një pasuri natyrore, ka vlera të mëdha sociale dhe ekonomike. Ajo luan një rol të jetik për banorët që jetojnë pranë brigjeve të tij, për aktivitetet bujqësore dhe blegtoralë. Sasia dhe shumëllojshmëria e peshqve ndikojnë në fushën e peshkimit. Turizmi gjithashtu nga viti në vit po zhvillohet nëpërmjet aktiviteteve të tilla si ngjitje në mal, alpinizëm, rafting, kanotazh etj.
E pavarësisht gjithë këtyre vlerave kërcënimi më i madh i lumit Vjosa është pikërisht ndërtimi i Hec-ve. Përgjatë lumit Vjosa janë planifikuar të ndërtohen 8 diga në pjesën shqiptare, ndërsa në gjithë basenin e Vjosës numërohen plot 31 Hec-e. “Të gjithë duhet të përpiqemi ta mbrojmë Vjosën, të mos ia presim “damarët”, ta ruajmë pasurinë tonë kombëtare. Zhvillim nuk do të thotë shkatërrim, zhvillim është zhvillimi i qëndrueshëm për të gjithë shoqërinë dhe jo pasurimi i pak grupeve të vogla” u shpreh Znj. Diana Çuli, shkrimtare dhe mikeshë e Vjosës.
Deklarata për mbrojtjen e Vjosës
Banorët e luginës së Vjosës e te gjithë Shqipërisë janë në mbrojtje të lumit të Vjosës. Përveç lëndinave të bukura, pyjeve të dendura që mbështesin bujqësinë, peshkimin, blegtorinë dhe ekoturizmin, ujërat e Vjosës banorët i përdorin edhe si ujë të pijshëm.
Qytetarët shqiptarë të gjithë së bashku kanë mbështetur dhe përkrahur mbrojtjen dhe ruajtjen e saj me firmosjen e Deklaratës, për mbrojtjen e lumit Vjosa.
Një numër shumë i madh njerëzish kanë firmosur këtë deklaratë që kundërshton fuqimisht projektet hidroenergjitike dhe kërkon shpalljen e Vjosës, Park Kombëtar. Me anë të kësaj deklarate qytetarët ngrenë zërin e tyre dhe i drejtohen kryeministrit të vendit të ndalojë këto projekte shkatërruese.
Edhe sot, shumë qytetarë të pranishëm patën mundësinë të firmosin këtë deklaratë për t’u bashkuar më të gjithë qytetarët që kërkojnë mbrojtjen e Vjosës. Deklarata e parë është firmosur nga organizatat jofitimprurëse mjedisore që mbështesin kauzën për mbrojtjen e Vjosës dhe shpalljen e saj Park Kombëtar.
Nga Iva Mera dhe Besjana Guri/ EcoAlbania