Dorëz, Librazhd, 26 janar 2024. Nxënës të shkollës 9-vjeçare “Shefqet Dosku” iu bashkuan ekipit të EcoAlbania dhe AdZM Elbasan, për të dhënë kontributin e tyre në nismën për ripyllëzimin e Parkut Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”. Në kuadër të “Ditës Botërore të Edukimit Mjedisor” ata jo vetem bashkëpunuan për mbjelljen e fidanëve të bredhave në park, por edhe ekspolruan më shumë zonën gjatë ecjes në mal nën petkun e borës në “Qafë Shapkë”.
Përveç një aktiviteti me efekt ndërgjegjësues, kjo eksperiencë praktike ju ofroi nxënësve njohuri mbi mbijetesën e fidanëve në temperatura të ulta dhe rëndësinë e mbjelljes së pemëve vendase dhe në sezonin e duhur.
Ndërsa temat e edukimit mjedisor u fokusuan në rolin që korridoret ekologjikë luajnë në sigurimin ruajtjes së zonave natyrore të cilat lidhin. Për më tepër, nxënësit u sensibilizuan për rëndësinë e tyre në mbrojtjen e habitatit dhe biodiversitetit të kafshëve të egra. Korridoret ekologjike, si rrugë jetike, ndihmojnë në ruajtjen e mjedisit dhe shërbejnë si linja mbrojtëse të shumëllojshmërisë së jetës së egër.
Një ndalesë e veçantë ishte ajo në Qafë Shapkë, ku nxënësit shijuan pamjen dhe u njohën me speciet e parkut. Pamja e mahnitshme e maleve të mbuluara me borë bëri që kjo aventurë të jetë një përvojë e paharrueshme. Nxënësit patën rastin të përjetonin rënien e borës gjatë udhëtimit të tyre duke i shtuar edhe më shumë kënaqësi kësaj eksperience në natyrë.
Dita Botërore e Edukimit Mjedisor festohet më 26 janar. Qëllimi kryesor i saj është të identifikojë çështjet mjedisore, si në nivel global ashtu edhe lokal, dhe të sensibilizojë për nevojën për pjesëmarrje për të ruajtur dhe mbrojtur mjedisin, duke zbutur ndikimet e ndryshimeve klimatike në nivele të ndryshme.