Beteja kundër hidrocentraleve bashkon komunitetet nga e gjithë Shqipëria

++Banorët e prekur nga projektet e HEC-eve të shqetësuar për të ardhmen e tyre kërkojnë mbështetjen e orgnaizatave dhe juristëve++

Tiranë, 29 Shtator 2020. Nën sloganin “T’i japim zë mbrojtjes së lumenjve” banorë të prekur nga projektet e hidrocentraleve, avokatë dhe aktivistë u mblodhën në konferencën e organizuar nga EcoAlbania në Tiranë, për të ndarë shqetësimet e tyre në lidhje me këto projekte dhe për t’u këshilluar nga ekspertë të mjedisit dhe avokatë mbi rrugët që mund të ndiqen për kundërshtimin e tyre.   

Situata e HEC-eve paraqitet alarmante në gjithë territorin e Shqipërisë, ku lumenjtë në mbarë vendin janë prekur nga epidemia e HEC-eve. Mbi 700 hidrocentrale janë planifikuar të ndërtohen në gjithë vendin duke cënuar florën dhe faunën e pasur të tyre. Nga ana tjetër këto projekte po rrezikojnë mirëqenien e banorëve të cilët kanë lidhur jetën me burimet ujore të zonës së tyre, duke i lënë ata pa ujë dhe duke cënuar zhvillimin e turizmit dhe ekonominë lokale.  

Nuk janë vetëm 10 raste në Shqipëri, ka edhe të tjera dhe kanë qenë banorët ato që na kanë kontaktuar në të shumtën e rasteveNe kemi mbështetur çdo komunitet në Shqipëri, madje edhe ato në Kosovë, të cilët po përballen me të njëjtin shqetësim” u shpreh Olsi Nika, Drejtori Ekzekutiv i EcoAlbania-s. Ai prezantoi ndau me pjesëmarrësit të gjithë eksperiencën e 10 takimeve dhe veçanërisht u ndal tek eksperienca e gjatë me lumin e Vjosës. Ai kërkoi nga banorët dhe komunitetet e të gjithë fshatrave që të rezistonin dhe të mbështetnin njëri-tjetrin deri në fund të kësaj beteje.

Gjatë takimit në Tiranë. (c) B. Guri/EcoAlbania

Pjesë e panelit ishin edhe përfaqësues nga fshatrat Gur i Bardhë, Bicaj dhe Zhulat të cilët ndanë me të pranishmit shqetësimet e tyre dhe kërkuan ndihmën e organizatës për të bërë të mundur anullimin e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve. “Fshati Gur i Bardhë është një nga 100 fshatrat turistik të shpallur nga qeveria, ku janë planifikuar të ndërtohen 2 hidrocentrale dhe banorët janë kundër ndërtimit të këtyre hidrocentraleve” u shpreh Resul Baleta, kryeplaku i fshatit Gur i Bardhë.

Në kanionin e Shejes, në zonën Kukësit, i cili është pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik, vendimi për ndërtimin e një HEC-i tjetër është marrë në mënyrë abuzive, ndërkohë që një tjetër hidrocentral është në përfundim të ndërtimit. Nësë ndërtohet edhe ky hidrocentral, kjo zonë kthehet në të pa-jetueshme, sepse aty kemi tokat bujqësore dhe bagëtitë”, u shpreh Naim Mehmetaj banor i Njësisë Administrative Bicaj. “Ne besojmë se do ta ndalojmë atë”, shtoi ai.  

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Murat Keraj, banor i fshatit Zhulat, Gjirokastër, “Ndërtimi i HEC-it në lumin e Zhulatit do të shterojë ujrat e këtij lumi dhe banorët janë të gatshëm ta mbrojnë me të gjitha mënyrat”.

Banorët nga Kukësi, Mati, Mirdita dhe Gjirokastra, patën mundësinë të konsultohen me 2 avokatet e pranishme në këtë konferencë Elvana Tivari dhe Dorina Ndreka, të cilat u treguan të gatshme për t’i këshilluar mbi hapat që komunitetet duhet të ndjekin komunitetet për kundërshtimin e këtyre projekteve. Nisur nga eksperienca e tyre me betejën ligjore për raste të tjera të hidrocentraleve si: çështja e Poçemit në Vjosë, hidrocentralet në lumin e Osumit dhe atyre në zonën e Zall-Gjoçaj, avokatet inkurajuan banorët që të kërkojnë ndihmën e juristëve dhe të organizatave për ndjekjen e rasteve të tyre.  

 

Informacion i përgjithshëm:

Konferenca “T’i japim zë mbrojtjes së lumenjve” ishte takimi përmbyllës i turit të takimeve me komunitetet e prekura në territorin e Shqipërisë dhe Kosovë, i cili u organizua në kuadër të projektit “T’i japim zë mbrojtjes së lumenjve”.

Turi i takimeve “Shkëmbimi i eksperiencës” është realizuar në 10 fshatra në Shqipëri dhe Kosovë:

  • Zall-Gjoçaj, Mat
  • Zhulat, Gjirokastër
  • Gjoricë, Bulqizë
  • Gur i Bardhë, Dibër
  • Vukël, Malësi e Madhe
  • Picar, Gjirokastër
  • Xhaferaj, Kukës
  • Biti e Poshtme, Kosovë
  • Bicaj, Kukës 
  • Madhesh, Mat.